Albanologjia si një domosdoshmëri për shtetin i takon ta mbajë dhe financojë, por prej vitesh dukesh që është lënë pa buxhete. Rektor në Akademinë e Studimeve Albanologjike akademik prof. dr. Marenglen Verli shprehet se albanologjia nuk mund të bëhet me donacione të huaja dhe me private. Sipas tij, ASA ka nevojë për të qarkulluar botimin në gjuhë të huaj dhe për të dërguar studiuesit më të mirë në konferenca ndërkombëtare, por të gjitha këto deri tani kanë gjetur vetëm mirëkuptim nga institucioni prej nga varen, sepse përmirësimet janë pak.
“Me miratimin e statutit tonë të ri, ASA është brenda Ligjit të Arsimit të Lartë. Në këtë mënyrë janë hapur për ne shtigjet për të qenë më veprues në aktivitete dhe për të realizuar marrëveshje të ndryshme e projekte në bashkëpunim me institucione studimore analoge brenda e jashtë vendit. Kemi ide për të realizuar më shumë projekte mbi bazën e bashkëpunimit për të çuar përpara shpërndarjen e produktit tonë shkencor, duke i çuar botimet tona në çdo drejtim ku ka interes për botimet albanologjike, brenda dhe jashtë vendit. Ne aktualisht kemi disa marrëveshje e projekte të përbashkëta me partnerë të huaj në fushën e arkeologjisë, të antropologjisë, por edhe të gjuhësisë e historisë etj, ne kemi arritur shpërndarjen më të mirë të botimeve tona, kemi furnizuar bibliotekat e gjithë institucioneve qendrore këtu dhe në Kosovë e Maqedoni. Ne synojmë arritjen e marrëveshjeve që tirazhet e botimeve tona të shkojnë dhe në bibliotekat e universiteteve, të institucioneve të tjera të rëndësishme të njësive bashkiake, synojmë të arrijmë një marrëveshje institucionale për të çuar botimet tona edhe në drejtime të tjera, në rrethe të ndryshme, deri në bibliotekat e shkollave. Ndryshimi i emrit nga QSA në ASA nuk është se ka sjellë transformime substanciale për institucionin tonë, por duke qenë brenda Ligjit të Arsimit të Lartë, edhe duke u njohur ligjërisht specifika e punës sonë, ne besojmë se do të kemi hapësira të përcaktuara mirë ligjërisht, për të vepruar. Situata e mëparshme me status të papërcaktuar ndikonte negativisht edhe në planin moral të motivimit të njerëzve për punë. E rëndësishme është që gjatë gjithë kësaj periudhe, duke filluar qysh herët e pastaj edhe pas viteve ’90-të e deri më sot, të katër institutet e albanologjisë kanë ndërtuar profilin e qartë të tyre, pavarësisht se kanë kaluar dhe provacione të ndryshme. Nëse më 1990 në kuadër të ASH ku bënin pjesë këto institute kishin 300 punonjës, nga të cilët 150 punonjës shkencorë, sot në ASA, në të katër institutet numërohen vetëm rreth 120 vetë. Veçanërisht ka rënë numri i forcave ndihmëse që janë të domosdoshme për punën që bëjmë, për të shpejtuar gjithë punën tonë dhe për të ulur koston e prodhimit shkencor. Por ne kemi dhe të tjera probleme. Nëse shpenzimet në GDP për banor për shkencën, sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri shkojnë në 0.16 përqind, kjo do të thotë se jemi disa herë nën kuotën rajonale për të njëjtën gjë. Maqedonia e ka 0,5 përqind, Kosova po ashtu. Pra është shumë pak. Ne kemi nevojë për kushte më të mira pune, për respektimin e legjislacionit në fuqi për pagesën e honorarëve, për investime në disa drejtime, që kanë të bëjnë me realizimin sasior dhe cilësor të produktit tonë shkencor, me shpërndarjen e tij dhe prezantimin e tij në botë, me rekrutimin e kuadrit cilësor, me specializimin e tij (mendoni p.sh. nevojën urgjente për njohës të mirë të gjuhëve të quajtura “të vdekura”, latinishtes, greqishtes së vjetër, sllavishtes së vjetër, osmanishtes etj). Ne kemi nevojë për të sjellë arkiva nga bota. Kemi nevojë për ekspedita në terren, për gërmime arkeologjike, kemi nevojë për të qarkulluar botimin tonë edhe në gjuhë të huaj dhe për të dërguar studiuesit tanë më të mirë në konferenca ndërkombëtare për të shpalosur pikëpamjet dhe arritjet tona atje, etj.
E marrë në tërësi albanologjia është një fushë, që në radhë të parë i intereson shtetit. Albanologjia përgjithësisht nuk mund të bëhet me donacione të huaja. Nuk mund të bëhet as me donacione private, por si një fushë që është domosdoshmëri për kombin dhe shtetin i takon shtetit që ta mbajë dhe financojë. Për vlerën që ka albanologjia besoj është e tepërt të flasim.... Ne jemi përpjekur e përpiqemi që me mundësitë tona të pakta, përmes një menaxhimi sa më racional të përmirësojmë kushtet e punës, ambientin e punës, mjetet e punës, të kenë aklimatizim sa më të mirë, por jemi ende larg asaj ku duhet të jemi. Ju duhet ta dini që ne kemi punonjës shkencorë që akomodohen në një zyrë të vogël (arrin dhe 4-5 punonjës në një zyrë), i kemi në distancë arkivat e bibliotekat nga vendi ku qëndrojnë studiuesit, ambientet e tyre nuk ofrojnë kapacitete sistemi e shfrytëzimi të materialeve etj. ASA në kapacitetet e zyrave, bibliotekave, arkivave etj, arrin vetëm 40 përqind të nivelit respektiv në rajon. Këtë e ka nxjerrë vetë një studim i specialistit të dërguar nga Ministria e Arsimit para një viti e gjysmë. Ne kemi nevojë për zgjerim të hapësirave. Në ambientet tona përveç zyrave do të duhej të kishim dhe ndonjë sallë për takime e konferenca, salla biblioteke e arkivi me kapacitete e kushte pune më të mira. Të qenurit bashkë e studiuesve të katër drejtimeve kryesore të albanologjisë i jep avantazhe punës, çon në studime e projekte ndërdisiplinore cilësore, por ka shumë probleme me mungesa e krijuara prej vitesh, që duhet të kapërcejmë”.