Monodrama "Mbretëresha" me aktoren e njohur Justina Aliaj në skenën e Teatrit Kombëtar përcolli emocione. Vepra shkruar nga Rexhep Qosja në interpretimin dhe regjinë e Justina Aliaj (Mjeshtre e Madhe), shoqëron publikun këtë fundjavë qershori në skenën e teatrit. Pjesa u interpretua me sukses disa ditë më parë në Korçë nga aktorja Justina Aliaj dhe për publikun vijon dhe sonte në mbrëmje në Teatrin Kombëtar. Konsulent artistik Naun Shundi, kompozitor dhe violinçelist Rubin Kodheli, formuluese muzike Flonja Kodheli. Aktorja vjen në skenën e Tiranës në Teatrin Kombëtar pasi mori Çmimin e Karrierës me veprën shqiptare në festivalin e monodramës “Albamono” që u zhvillua në Korçë. Para shfaqjes në skenën e Teatrit Kombëtar aktorja Justina Aliaj u shpreh se tek figura e mbretëreshës në vepër i ka bërë përshtypje si një personazh shumëplanësh. “Monodrama e Rexhep Qosjes ka qenë prej vitesh në mendjen time. Më ka bërë përshtypje shumëplanshmëria e saj. Te “Mbretëresha” besoj se çdo njeri e gjen veten. Është një personazh shumëplanësh. Mbretëresha është një stratege, është nënë, dashnore, kundërshtare, politikane. Muzika në vepër është bërë nga dy fëmijët e mi, Rubini dhe Flonja”, tregon aktorja për monodramën, që i dha të tjera vlerësime në skenën e Teatrit Kombëtar dhe vijon dhe sonte për publikun.
Skenografia është realizuar nga i ndjeri Ilia Xhokaxhi dhe koreograf Bardhi Pojani. Në jetën e saj artistike Justina Aliaj ka spikatur jo vetëm si aktore, por dhe në skenën e këngës. Një nga emrat më të vlerësuar që vijon të jetë në vëmendjen e publikut. Aktiviteti i saj artistik po vijon me sukses ashtu si dhe vitet e fundit që është përqendruar në fushën e teatrit. Gjatë kësaj kohe Justina Aliaj ka sjellë personazhe të ndryshme në skenë. Këto ditë të qershorit ajo sjell mbretëreshën në një vepër që mban emrin e akademikut Rexhep Qosja.