Shfaqja “Copë-copë” me regji të Zana Krasniqit e tekst të Blerta Zeqirit, rikthehet në qytetin e Shkodrës këtë të premte në orën 18:00 në Teatrin “Migjeni”.
“Copë-Copë” bazohet në ngjarje të vërteta të grave në Kosovë; një grua, mbijetuese e dhunës në familje është edhe performuese në skenë, së bashku me aktoret profesioniste. Skena të dhunës në familje, martesës me dhunë, abortit me probleme shëndetësore dhe stigmatizimit lidhur me çështjet e adoptimit, paraqesin format e ndryshme të dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare.
Në të njëjtën hapësirë dhe kohë, aktoret dhe e mbijetuara gjejnë forcën dhe solidaritetin për t’u përballur me realitetin dhe për të vazhduar përpara.
Aktoret interpretuese janë: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.
“Copë-Copë” është prezantuar tri herë në Prishtinë, një herë në Ferizaj, në Gostivar në festivalin teatral “Othelo”, në Beograd në festival “Mirëdita – Doberdan”, në Kukaj në EtnoFest ku është nderuar me tri çmime, si dhe në datën 26 nëntor, 2018 do prezantohet në Zagreb për të shënuar ditët e kulturës shqiptare atje.