Artistët shqiptarë me ekspozitë të përbashkët në Vjenë të Austrisë

Premte, 09 November 2018 08:49

Vjena si një qendër me histori dhe traditë të pasur sa i përket artit, kulturës dhe mundësive të shumta për shpalosjen dhe prezantimin e vlerave të llojllojshme artistike, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e njerëzve të artit dhe ka sjellë para artdashësve dhe adhuruesve e pasionantëve vepra të mëdha nga emra të njohur vendas e botërorë. Edhe artistët shqiptarë gjithmonë kanë gjetur një derë hapur në këtë qytet dhe me punimet dhe vlerat e tyre artistike kanë dalë faqebardhë dhe të dinjitetshëm para publikut, duke përçuar kështu mesazhe të forta për kulturën, dhuntinë dhe begatshmërinë e tyre si individuale, por edhe kombëtare.

Artistët shqiptarë dhe profesorët universitarë Saranda Kika-Bahtiri (Prishtinë, Kosovë) dhe Melik Arsllani (Gostivar, Maqedoni), të martën, më 7 nëntor 2018, hapën në Vjenë ekspozitën e tyre të përbashkët, ku të dy kishin sjellur disa piktura nga krijimtaria e tyre e pasur dhe e dëshmuar në sferën e arteve pamore. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 14 nëntor 2018 dhe mund të vizitohet në një lagje qendrore të Vjenës, në Galerinë Contemplor.

Pas tetë ekspozitave personale dhe mbi 50 ekspozitave grupore brenda dhe jashtë Kosovës, Saranda prezantohet me pikturat e saj në ekspozitën e përbashkët të radhës në qendër të Vjenës, ku në praninë e një numri të madh të dashamirëve të artit, ajo shpalosi përmes pikturave të saj talentin e madh dhe vlerën e një krijuesi të mirëfilltë dhe me plot dhunti e pasion. Ajo tha se ndjehet shumë e pritur ngrohtë këtu në Vjenë dhe njëkohësisht është e privilegjuar të hap ekspozitën e saj këtu në Vjenë, ku me shekuj krijohen e ruhen vepra të mëdha e të rralla. Asaj i pëlqen qyteti, ndërtesat pastërtia dhe qetësia që mbizotëron në rrugët e tij, u shpreh ajo në fjalën e saj. Pikturat e saj shprehin një abstraksion të fuqishëm, të përthyer nga një kontrast i fortë ngjyrash, si një shpërthim shqetësimi apo harmonizimi të brendshëm, duke paraqitur një derdhje të mrekullueshme të imagjinatës së autores mbi to.

Saranda diplomoi në Bachelor të Arteve në vitin 2004, kurse Studimet Master i përfundoi në vitin 2007 në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2006 ligjëron si profesoreshë e artit në Universitetin „Isa Boletini“ në Mitrovicë. “Duke i kundruar kompozicionet e piktores Sarandës, del në shesh harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta intensive si në plan të parë poashtu edhe në prapavijë. E kuqja është dominante, shpërndahet në tërë kompozicionin dhe ka pamjen e një magme dhe krijon ekspresivitet dhe subtilitet të llojllojshëm të motiveve, sidomos e shtrirë në peizazhe imagjinative”, thotë për artin e Sarandës kuratori Ilir Muharremi.

Piktori Melik Arsllani diplomoi në Fakultetin e Arteve në vitin 1994 në Prishtinë, kurse Studimet Master i përmbylli në vitin 1998 gjithashtu në Prishtinë. Ai deri më tash është prezantuar në disa ekspozita kolektive, ndërsa numëron dhjetëra ekspozita personale. Që nga viti 1996 ligjëron në Universitetin e Tetovës, në degën e Arteve. Pikturat e tij janë të pasura me një emocion të begatshëm, peizazhe që kapërcejnë në një gjallëri e dramaticitet, shkëlqime e shplodhje ngjyrash, forma pa përkufizime ideore, dhimbje apo lumturi e vendosur me finesë në formë dhe koncept dhe përshkohen nga një paravijë apo prapavijë shumë domethënëse. Dukshëm në krijimet e tij janë shpirtërorja, dritat dhe hijet, por dhe dritëhijet njëkohësisht, duke portretizuar një dozë të theksuar të gjenialitetit, kompozicionit, hapësirës dhe kohës.

“Arsllani frymëzohet nga vendi i tij, shumë i bukur si natyrë, por shpesh i trazuar. Nëpërmjet ngjyrës, si material i përjetshëm i pikturës, bën një zbulim lirik të botës së brendshme. Ai ka krijuar piktura që shikohet nga afër dhe nga larg. Teksa i shikon nga afër sheh mjeshtërinë e piktorit. Me penelata tejet të sakta ka krijuar një tërësi kompozicionale, një botë të sajuar artistike shumë tërheqëse. Kur i sheh nga një distancë, pikturat e tij jo vetëm përjetohen, por edhe të nxitin meditimin”, shprehet profesori dhe shkrimtari Salajdin Salihu.

“Duke u nisur nga mënyra e realizimeve kompozicionale të autorit në fjalë, mund të themi se në to janë të gërshetuara përvoja dhe instinkti artistik, liria e të shprehurit pamor, ngrohtësia dhe përkujdesja ndaj mjedisit dhe traditës. Plotnia figurative estetike e gërshetuar me nuanca ekspresive koloritesh dhe tonesh përjetohet si katarzë ndiesore dhe përbën pjesën fundamentale të botëkuptimit krijues të Melikut”, thotë Jëlldëz Asani, historiane e artit.

Përndryshe në hapjen e kësaj ekspozite të pranishëm ishin një numër i madh bashkatdhetarësh që jetojnë në Austri, ndër ta dhe shkrimtari nga Tetova Besim Xhelili, kurse për ndërlidhjen e dy artistëve me Galerinë u përkujdes Keti Berisha, stiliste dhe fotografe që jeton e vepron në Vjenë. / KultPlus.com

Shkruan: Besim Xhelili

Modifikuar më Premte, 09 November 2018 08:51
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...