Pak javë pasi u transferuan në kopështin zoologjik të Tiranës, ditë më të mira duket se janë në horizont për tre luanët e Safari Park Zoo, ose siç u cilësua ndryshe ‘Kopshti zoologjik i Ferrit’. Luani me sy të nxirë, fotot e të cilit bënë xhiron e mediave angeleze dhe atyre shqiptare, tashmë është kuruar dhe bashkë me dy “miqtë” e tij, pritet të transferohet në Holandë, në një qendër të specializuar rehabilitimi, të quajtur Felida. Lajmin e jep ministri i Mjedisit Blendi Klosi, i cili shkruan se luani me sy të nxirë tashmë është kuruar dhe ka një emër të ri. Ai quhet Lenci, ndërsa dy të tjerët quhen Zhak dhe Bobi.
Pak javë më parë, rasti i kafshëve të keqtrajtuara u publikua nga media britanike “Daily Mail”. Menjëherë pas publikimit, një sërë reagimesh publike përfshinë mediat shqiptare, ndërkohë që institucionet u angazhuan për të sjellë kafshët në Tiranë, dhe u bë e mundur mbyllja e Safari Park Zoo dhe transferimi i tyre.