“Jashtë derës” për publikun gjatë fundjavës në Teatrin Eksperimental

Premte, 30 November 2018 14:26

Drama “Jashtë derës” vijon shfaqjet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Nga mbrëmja e sotme deri të dielën publiku gjen në skenë veprën e autorit Wolfgang Borchert, që vjen me regji nga Mantas Janciauskas. Një vepër e madhe, një protestë për ata që ndihen jashtë dyerve, një emocion tronditës dhe një revoltë e thellë ndaj shpërfilljes.

Vepra është përkthyer nga Afrim Koçi, skenograf  Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara, as. regji Dajana Nenaj.

Në vepër interpretojnë aktorët Endri Çela, Mehmet Xhelili, Romir Zalla, Dasara Xhangolli, Adriana Tolka, Ilirda Bejleri, Mateo Dervishaj, Algiona Aga, Olgert Mataj, Klejdi Mataj, Julian Hurdha, Kleivert Ibrahimllari, Anxhela Shkreli, Paola Kadillari, Denardo Neziri.

Në dramën “Jashtë derës” është historia e një ushtari që kthehet në vendlindjen e tij, në Gjermani, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. E shkruar në vitin 1946 ajo paraqet mungesën e shpresës së Beckmannit, një ushtari gjerman pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kthimit të tij nga Rusia, kohë kur ai zbulon se ka humbur gruan, shtëpinë dhe gjithçka ku ai besonte, bashkë me iluzionet. Të gjitha dyert ku ai troket nuk i hapen. Madje edhe lumi Elba i refuzon vetëvrasjen duke e nxjerrë atë në breg.

Ai kthehet dhe përpiqet që të vazhdojë jetën e të hyj në shoqëri. Por eksperienca e tij në luftë është kaq e fortë saqë ai duke qenë një njeri mendërisht shumë i ndjeshëm e ka të pamundur të harrojë se çfarë ka ndodhur. Përpiqet që të krijojë një marrëdhënie me një vajzë tjetër por e kaluara i shfaqet papritur.

Ai përpiqet ti kthejë mbrapsht çdo gjë kolonelit, por merr përgjigje negative, ai përpiqet të shkoj në shtëpi, por…Këto fjalë “përpiqet”, “por” janë baza në këtë shfaqje. Është makthi i një të riu të cilit, i janë mbyllur dyert. Drama është vlerësuar si një vepër teatrale përtej kombësisë dhe ideologjisë. Ajo tregon sesi njeriu i zakonshëm, egoist dhe i vetëkënaqur, është përgjegjës për tmerret, vuajtjet dhe dhimbjen që sjellin konflikte të mëdha si Lufta e Dytë Botërore, mesazh që ruan aktualitetin edhe sot e kësaj dite.

Drama vjen në skenë dhe kuadër të aktiviteteve, që janë për bashkëpunimet artistike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Login to post comments