Më 28 nëntor 1953, në skenën e Universitetit të Arteve sot, me shfaqjen "Rusallka" të kompozitorit rus A.S. Dargomizhskij, nis udhën e tij Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Ishte bërë traditë që këto 30 vitet e fundit të festohej rregullsht jubiletë. Ndërsa këtë vit u hesht, jo vetëm që nuk ufestua, por as nuk u zu në gojë, as nga TKOB, as nga ministria apo kryeministri. Teatri ka halle se nuk ka ku bën shfaqje, po bredh ku të gjejë salla, sa brenda dhe jashtë shtetit. Ndoshta u lodh nga festa e 60-vjetorit të AKVP, që bëri vitin e kaluar, ndërsa ministria e ka mbyllur punën me TOB, që kur në krye të tij emëroi Zana Celën dhe tashmë ka rënë rehat se aty i mbyll Zana punët e artistët nuk po i krijojnë më probleme.
Në pritje të ndonjë feste të mundshme nga TOB, a përkujtimore në muajin dhjetor, dy fjalë për krijimin e këtij insittucioni të rëndësishëm, si njëlvlerësim për punën dhe artin e artistëve dhe një homazh për të gjithë ata korifej që nuk jetojnë më.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, nga ku artistë të shumtë i kanë dhënë zë veprave më të rëndësishme botërore, por edhe atyre kombëtare u krijua më 28 nëntor 1953.
Historia e TKOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grupë i vogël administrativo-teknik. Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën ku sot ndodhet Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operas dhe baletit.
Në datën 8/11/1953 u realizua opera e parë e skenës tonë, “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky. Kjo datë hyri në historinë e TKOB si dita e themelimit të këtij teatri edhe pse në atë kohë ishte ende pjesë e Filarmonisë së Shtetit.
Këshilli i Ministrave, në vitin 1956 me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për një drejtim më të mirë të institucioneve qëndrore artistike, vendosi krijimin më vete të Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, me një kontigjent prej 246 vetash.
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 376 datë 07/09/1956, mbi Krijimin e Drejtorive të Institucioneve Qëndrore Artistike.
Në vitin 1957, një vit më pas, u krijua dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili u bë pjesë e TKOB.
Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TKOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin e tij.
Në vitin 2015, Këshilli i Ministrave vendos që godina e TKOB ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe në mars të vitit 2017 trupat zhvendosen në dy godina pranë Ministrisë së Kulturës në ish-Kinostudion “Shqipëria sot”.
Shfaqjet e para të trupës së TKOB:
Shfaqja e parë e trupës së TKOB është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky, e cila u realizua në 27 nëntor të vitit 1953.
Shfaqja e parë e baletit të trupës së TKOB, “Kujdesi i kotë” e Hertel u realizua në vitin 1953.
Shfaqja e parë kombëtare ka qënë opereta “Agimi” e kompozitorit Kristo Kono, e cila u realizua në vitin 1955.
Opera e parë shqiptare, “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova u realizua në vitin 1959.
Baleti i parë shqiptar i kompozitorit Tish Daija, “Halili dhe Hajria” u realizua në vitin 1963 me koreografi të Panajot Kanaçit.
TKOB është një teatër repertori, me një numër të madh veprash shqiptare dhe të huaja.
Operat shqiptare: “Mrika”, “Skënderbeu”, “Lulja e kujtimit”, “Komisari”, “Toka jonë”, “Borana”, “Pranvera”, “Heroina”, “Zgjimi”, “Dhoma”, “Një jetë me stuhi”, “Jeta është ëndërr” etje.
Baletet shqiptar: “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Fatosi partisan”, “Cuca e maleve”, “Shqiponja sypatrembur”, “Bijtë e peshkatarit”, “Ritme e ndjenja punëtore”, “Kecat dhe ujku”, “Duarartet vigjelentë”, “Tokë e pamposhtur” , “Para stuhisë”, “Lumi i Vdekur”, “Shota dhe Azem Galica”, “Joniada”, “Shqiponjat”, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Vajzat e qytetit të gurtë”, “Migjeniania”, “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, “Rituali i jetës”, “Tirana by night”, “Historia e një kënge”, “Exil Deja-vu”.
Operetat shqiptare: “Agimi”, “Dhëndri u transferua”, “Karnavalet”, “Brigada e grave”, “Paja”.
Operat e huja: “Rusallka”, “Ivan Suzan”, “Nusja e shitur”, “Traviata”, “Kavaleria Rustikana”, “Berberi i Seviljes”, “Evgjeni Onjegin”, “Don Paskuale”, “Madama Butterfly”, “Carmen”, “Palaçot”, “Boheme”, “Aleko”, “Peshkatarët e Perlave”, “Rigoletto”, “Dasma e Figaros”, “Trovatore”, “Toska”, “Don Zhuani”, “Il signor Bruschino”, “Cosi fan tutte”, “Norma”, “Porgy dhe Bess”, “L`Elisir d` Amore”, “Salome”, “Turandot”, “Triptiku”, “Faust”, “Andre Chenier”, “Një ballo me maska”, “Flauti magjik”, “Aida”, “Falstaff”, “Lucia di Lamermoor”, “Fidelio”, “Manon Lescaut”, “Ana Bolena”, “Përrallat e Ofmanit”, “Ëerther”, “Don Carlos”, “Skanderbeg”, “Ali Pascha Von Janina”, “Otello”, “Tannhauser”, “Orfeo ed Euridice”, “Le Villi”, “I Capuleti e i Monteçhi”.
Baletet të huaj: “Shatërvani i Baçisarajt”, “Esmeralda”, “Kujdesi i kotë”, “Romeo dhe Zhuljeta” (Çajkovski), “Lola”, “Zhurale”, “Fadeta”, “Laurencia”, “Françeska da Rimini”, “Shehrezade”, “Paganini”, “Detashmenti i kuq i grave”, “Zhizel”, “Don Kishoti”, “Hirushja”, “Rajmonda dhe Spartaku”, “Vdekja e nje mbretëreshe”, “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i mjellmave”, “Arrëthyesi”, “Carmen”, “Bajadera”, “Carmina Burana”, “Copelia”, “La Sylphide”, “Dhimbje dhe dashuri”, “Dafnis e Kloe”, “Zorba”, “La Traviata”, “Gjak dhe dritë”, “Ëndrra e një nate vere”, “Ballo e diplomës”, “La Stravaganza”, “Impact and Table”, “Risveglio dell`umanita”, “4 pieces”, “Noces”, “Monger”.
Opereta të huaja : “Princesha e Çardashit”, “Vejusha Gazmore”, “Lakuriqi i natës”.
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka në përbërje të tij rreth 250 artistë stabël, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor.
ORKESTRA SIMFONIKE ka në përbërjen e saj rreth 50 instrumentistë. Ajo është orkestra me nivel më të lartë ndër formacionet orkestrale shqiptare kudo ndodhen, duke marrë edhe vlerësime mjaft pozitive nga personalitete të fushës, shqiptar dhe të huaj.
KORI përbëhet nga 40 artistë. Repertori i korit të TKOB është i pasur dhe i larmishëm si me vepra skenike edhe ato koncertore, shqiptare dhe botërore.
TRUPA E BALETIT ka në përbërje të saj rrethë 40 balerinë. Kjo trupë ka realizuar kryevepra të baleteve botërore dhe shqiptare si brenda dhe jashtë vendit dhe është vlerësuar me tituj nderi, çmime, medalje të ndryshme nga shteti shqiptar dhe më gjerë.
TRUPA E SOLISTEVE LIRIKË është e përbërë nga 14 artistë, të cilët me repertorin e gjerë dhe nivelin artistik përballojnë me shumë sukses titujt e kalendarëve operistikë. Në trupën e solistëve ka artistë titullarë, por edhe të rinj duke mundësuar një repertor mjaft të gjerë.