Filozof, nihilist, mbinjeri dhe i çmendur

Hënë, 03 December 2018 14:32

Është vështirë të dihet se kush jam unë; të presim edhe nja qind vjet, “ndoshta deri atëherë do të ketë një gjeni për njohjen e njerëzve, i cili do ta zhgropojë Zotin.” – Friedrich Nietzsche, 1885… Ky shkrim është botuar në vitin 2000, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së filozofit të madh gjerman.

Nga: Enver Robelli


Që në rini Friedrich Nietzsche i kishte ngarkuar vetes detyra të vështira. Ai donte të luftonte kundër “lumturisë së topitur në dhomat gjermane”, kundër pushtetit të Bismarckut dhe kundër “moralit skllavëror” të krishterimit. Duke qenë një fenomen i pazbërthyeshëm, Nietzsche u kishte lënë përshtypje të thellë edhe autorëve të cilët kishin filluar të shkruanin pas vdekjes së tij.

Për poetin gjerman Gottfried Benn, filozofi me mustaqet si bisht dhelpre ishte “fenomeni më i madh rrezatues i historisë së mendimit”. Natyrisht, gjatë këtyre njëqind viteve kishte edhe dijetarë që kur përmendej Nietzsche vetëm rrudhnin hundën. Për shembull Karl Popperi, përkrahësi i flaktë i liberalizmit, i cili Nietzschen e quante një “djall të mjerë”: “I kam lexuar veprat e tij. S’ka asgjë aty.” Me këtë sigurisht nuk do të pajtohej Gottfried Benni: Nietzsche është “gjiganti më gjithëpërfshirës i epokës pas vdekjes së Goethes”.

“Mos e harro kamxhikun”

Mendimet mund të jenë të ndara dhe sipas shijes personale: për dikë ai ishte nihilist, mbinjeri i çmendur, prijës i idesë për kultivimin e racës, kurse për të tjerët thjeshtë filozof gjenial. Sidoqoftë, në një pikë bashkohen të gjithë: Nietzsche kishte parashikuar luftëra të llahtarshme dhe masa njerëzish që do të interesoheshin vetëm për të shijuar. Dy luftërat botërore dhe përvoja e këtyre viteve të fundit, kur “njeriu për njeriun bëhet ujk” sikur vërtetojnë profetizimet e tmerrshme të tij. Por, Nietzsche kishte shkuar më tutje: ai fliste për kultivimin e racës, për tezën e rrezikshme që njeriu të jetë kultivues i njeriut.

Lëvizja nëpër këtë terren delikat e bën atë një “mjeshtër të mendimit të rrezikshëm”, siç e quan sot Nietzschen filozofi gjerman Peter Sloterdijk. Nganjëherë ai nuk e frenonte fare veten: “Puna fizike që të djersit duhet t’u lihet skllavëve.” Ishin këto dhe fjali të tjera që ngjallnin dyshime. Mos ishte një racist i tmerrshëm? Antisemit? Janë të njohura shpërthimet e tij antidemokratike, armiqësia ndaj grave (“Ti po shkon te gratë? Mos e harro kamxhikun!”), thirrjet për kultivimin e racës. Me sa duket ai ishte i vetëdijshëm për këtë. Ndryshe nuk do t’i kishte quajtur mendimet e tij “filozofi e dijes së ndaluar”. “Unë kam ardhur herët, nuk jam i kohës”. Kështu shkruante Nietzsche më 1885 në librin e tij të famshëm me aforizma “Njeriu i marrë”.

Miqësia me Wagnerin

Ishte vetëm katërvjeçar kur i vdiq babai. Nga vendlindja Röcken familja u shpërngul në Naumburg, ku Nietzsche ndoqi mësimet në shkollën elitare Schulpforta. Këtu ai interesohej kryesisht për filologjinë dhe filozofinë. Prej vitit 1864 deri më 1869 studioi në Bonn dhe Leipzig. Pa kurrfarë titulli shkencor ai ftohet të ligjërojë në Universitetin e Baselit në Zvicër. Për shkak të problemeve shëndetësore, profesori i ri merr shpesh pushim. Më 1889, gjatë një qëndrimi në Torino (Itali), pëson kolaps. Njëmbëdhjetë vitet e ardhshme të jetës së tij të vetmuar i kalon në gjendje çmendurie. Për të kujdesen e ëma dhe e motra. Friedrich Nietzsche vdiq më 25 gusht 1900. Gjatë jetës së bujshme ai kishte pak miq. Njëri prej tyre ishte Richard Wagner, kompozitori dhe filozofi i njohur – më vonë i përbuzur për shkak të urrejtjes së hebrenjve. Gjatë javës Nietzsche ligjëronte letërsinë e vjetër greke, ditëve të lira shkonte në Tribschen afër Luzernit, ku banonte Wagneri me Cosiman, vajzën e Franz Lisztsit. Figura e Wangerit e imponon Nietzschen aq shumë saqë ky nuk e merr dot guximin t’i kundërvihet për shkak të antisemitizmit të egër. Por, këto marrëdhënie mes profesorit të ri dhe mjeshtrit të madh do të turbullohen. Nietzsche do ta shpallë Wagnerin si njërën nga “sëmundjet e mia”, prej së cilës ka nevojë të “shëndoshet”.

Nuk jam njeri, jam dinamit”

Nuk ishte vetëm “sëmundja e Wagnerit” që e mundonte Nietzschen, por edhe dhimbjet e kokës, goditjet e ashpra të migrenës, vjelljet e vazhdueshme. Miqtë i propozuan të martohej. Ata kujtonin se sëmundja ishte pasojë e jetës në vetmi, pa grua. Dhe, ndoshta kishin të drejtë. Simptomat e supozuara më vonë flisnin se ai vuante nga sifilisi (sëmundje e rrezikshme gjinore). Vetë Nietzsche i kishte thënë mjekut të tij Otto Eiser se në rini ishte “infektuar dy herë në mënyrë specifike”. Më tepër nuk kishte shpjeguar. Wagneri, ndërkaq, i kishte thënë Eiserit se vuajtjet e Nietzsches gjithsesi ishin “pasojë e onanisë”. Për të shëruar sëmundjen, mjeku e kishte porositur që gjatë qëndrimit në Itali të flinte me sa më shumë gra – gjë që Nietzsche pranon se e kishte bërë. Athua është e vërtetë? Një mik i tij, Paul Deussen, më 1901 supozonte se Nietzsche kurrë nuk kishte pasur “punë” me asnjë grua. Ai tregonte se njëherë Nietzsche ishte futur në një shtëpi publike në Këln. I rrethuar me femra, ai s’iu kishte qasur asnjërës, por ishte ulur pranë pianos dhe kishte filluar të luante në të. Pas ca tingujve, Nietzsche kishte dalë jashtë. “E di fatin tim. Dikur me emrin tim do të ndërlidhet kujtimi në diçka të tmerrshme – me një krizë, siç nuk ka ekzistuar në këtë tokë, me ndeshjen më të thellë të ndërgjegjes, me një vendim të ngjallur kundër gjithçkaje që është besuar, stimuluar, arsyetuar deri më tani. Unë nuk jam njeri, jam dinamit.”

Keqpërdorimi prej motrës

Pasi u sëmurë rëndë dhe ra në çmendi gjatë ditëve të çlodhjes në Torino, Nietzsche u transferua në Basel, në strehimoren psikiatrike “Friedmatt”. Përkundër të gjitha supozimeve, shkaku i sëmundjes mbetet enigmatik. Në Torino ai kishte qeshur si i egër, kishte qarë me dhe pa lot, kishte vallëzuar dhe ishte rrotulluar nëpër tokë. Shpesh kishte kërkuar ta dërgonin nëpër “dhoma të grave”. Në Basel herë pas here shpërthente me fjalinë: “Natën te unë kanë qenë 24 lavire”.

Edhe pse para vdekjes kishte kërkuar që vepra e tij të mos keqpërdorej, për fat të keq kjo ndodhi. Pasi botoi kompletin e veprave dhe shkroi biografinë e vëllaut, Elisabeth Nietzsche filloi t’i shfrytëzojë shkrimet e tij për qëllime antisemite. A nuk kishte shkruar Friedrich Nietzsche për racën e pastër bionde, për mbinjeriun dhe për vullnetin për pushtet? Kështu Nietzsche u bë një lloj profeti i forcave të djathta në Gjermani dhe më vonë i fashistëve. Më 1934 vetë Hitleri vizitoi Arkivin e Nietzsches.

“As shishja e konjakut nuk pihet eks”

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur ëndrra e nazistëve për të mbajtur në grusht mbarë botën përfundoi në rrënojat e qyteteve gjermane të bombarduara nga aleatët, studiuesit zbuluan se me çfarë poshtërsie Elisabeth Nietzsche e kishte keqpërdorur veprën e vëllaut të saj. Shumë pjesë të librit “Vullneti për pushtet” i kishte ndryshuar plotësisht. Për shumë vite të pasluftës Nietzsches nuk iu kushtua më rëndësi në Gjermani. Së fundi në Francë dhe Itali vërehet një qasje tjetër ndaj mendimtarit. Kjo ka bërë që Nietzsche të shikohet ndryshe edhe në atdheun e tij.

Mospërfillja e shkrimeve të Nietzsches ndoshta mbështetet edhe diku tjetër: fjalitë e tij nuk janë përherë lehtë të kuptueshme, nganjëherë plotësisht të errëta. Filozofi amerikan John Searle për shijuesit e Nietzsches kishte këtë porosi: “As shishja e konjakut nuk pihet eks.” Nietzsche ka shkruar një vepër të rëndë, por “gotë pas gote” dhe jo për çdo ditë, fjalitë e tij mund të merren vesh – disi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...