Ermal Meta, sonte me këngët e tij në skenën e Festivalit në RTSH

E Enjte, 20 December 2018 14:42

Festivali i 57 i Këngës në RTSH starton sonte në mbrëmje në skenën e Pallatit të Kongreseve. Janë 22 këngë që do të interpretohen këtë natë, ku nuk mungojnë edhe të ftuarit. Në skenë këtë mbrëmje do të jetë i ftuar fituesi i Sanremo 2017, kantautori shqiptar Ermal Meta. Një ditë para zhvillimit të festivalit kantautori i njohur shqiptar, i cili prej vitesh zhvillon aktivitetin muzikor në Itali dhe më gjerë, u shpreh se ndjehej i privilegjuar që ishte i ftuar. “Mendova që është një nder i madh për mua. Kur jam larguar përpara 24 vitesh nga Shqipëria nuk e mendoja që do të isha i ftuar ndonjëherë në festival”, u shpreh artisti shqiptar. Gjatë këtyre viteve, këngëtari tregoi se e ka ndjekur festivalin e RTSH e madje mban mend disa vija melodike të këngëve, por ai ka qenë më i prirur drejt muzikës klasike.

Ermal Meta do të performojë live në natën e parë të Festivalit të ’57 sonte në mbrëmje me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dy këngët e tij më të njohur “Non mi aveta fato niente”, me të cilën ka fituar edhe Sanremo 2017 si dhe “Piçola Anima”, por priten edhe surpriza të tjera. Edicioni i 57 i Festivalit të Këngës në RTSH do të zhvillohet mbrëmjet e datave 20, 21 dhe 22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Festivali do të prezantohet nga Viktor Zhusti dhe këngëtarja Ana Gojla. Stafi realizues i këtij edicioni përbëhet nga drejtori i festivalit Martin Leka, drejtore artistike sopranoja Inva Mula, producent muzikor Sokol Marsi, skenarist Pandi Laço dhe regjisor Bledar Laço. Këngët do të prezantohen në dy net, nata e parë në 20 dhjetor, ku 22 këngëtarët do të këndojnë live me Orkestrën Simfonike të RTSH. Nata e dytë do të jetë Nata e Eurovizion, ku po të 22 këngët do të vijnë të interpretuara live, por pa orkestër, ato do të shoqërohen nga elementë spektakli. Dhe në natën e tretë këngët do të konkurrojnë për vendin e parë. Nga 54 këngë, 22 prej tyre janë në konkurrim në netët e festivalit të këngës në RTSH. Festivalit të 57 në RTSH nuk do ti ndryshojë mënyrën e votimit. Juria profesioniste do të jetë ajo që do të votojë këngën fituese, që do të çojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Këtë vit në skenë e festivalit do të jenë në skenë emra të njohur, por dhe të rinj, në garë për çmimin e madh.

Login to post comments