Trinia poetike e Drita Ademi- Beqirit

Diel, 20 Janar 2019 17:00

Nga Vasil Vasili

Sprovë

Ka shumë mënyra për të mberritur në thelbin e një libri me poezi. Këtë rradhë parapëlqeva të zgjedh poezinë më funksionale (sipas meje) të librit. Që të analizosh një libër duke u nisur nga poezia më funksionale, duhet që ajo të përmbush disa kushte, jo vetëm estetike, por edhe psikike. Psikika e ushqen estetikën me nervin e saj të lindur dhe estetika i jep trajtë të bukur psikikës. Psikika me estetikën krijojnë poezinë. Të tjerat: kultura, teknika, çasti, etj. janë ndihmësit e tyre.
Duhet të kuptuar ç’farë rrezaton poezia më funksionale në libër, përveç hireve dhe fuqisë së vetvetes.
Duhet të hetuar cilat poezi ka konkurrente dhe të pikasësh marrëdhëniet e tyre me këtë poezi.
Gjithnjë mbetet parësore të shikosh lidhjet psikike midis tyre.
Nuk ka rëndësi cilat poezi janë shkruar më herët, poezitë konkurrente apo poezia më funksionale. Rëndësi ka të nisesh nga pika më e lartë e librit.
Poezia më funksionale lind në psikikën e poetit para se të shkruhet. Ajo është përkthimi i kumtit që ka marrë poeti nga vetja për ta shpërndarë jashtë.
Nëse bëhet ky hulumtim i vështirë, vetvetiu është zbuluar struktura psikike dhe estetike e poezisë më funksionale, që është e barabartë me vetë strukturën psikike dhe estetike të librit.
Pas shumë hamendjesh dhe pasigurish vendosa të çmoj si më funksionalen e librit të Drita Ademi-Beqiri “Andrra dhe Gjethe”, poezinë: “Çast shembjesh...”.
E përzgjodha midis të tjerave, po kaq të veçanta si : Me duer prej uji, Flokët nuk po më thinjen, Të kam pa andërr, Hije zogu, Zbathun, Toka e diellit, Vdekje me za t’naltë, Kam me u ba dhe, Ndonjëherë, Metamorfozë dhe Unë nuk jam poete, etj.

Përse e veçova këtë poezi midis më të bukurave?

Së pari, për lidhjet e saj të hapura dhe të fshehura me të gjithë librin, (për funksionalizmin e saj).

Në brendësi të përzgjedhjes time gëlojnë edhe një gjerdan arsyesh të tjera pëlqyese.

Ka një strukturë zbritëse dhe hapëse rrethore (ritëm, kohë), pra ka një logjikë brenda poezisë dhe parashtrimit të imazheve.

Ka vetminë që është e mbushur me dëshira (me kërkime); të cyt dhe të josh për të zbuluar domethëniet.

Ka.... por ajo që më dha shtysën e fundit drejt kësaj poezie, ishte gjysëm vargu i saj: “ ... Një letër e bardhë është varri im”.

Ky gjysëm varg është zbulimi më i rëndësishëm i poetes para altarit të poezisë. Para altarit ke nderim dhe frikë.

Ky gjysëm vargu është arketipi psikik i poezive të Dritës.

Po kaq i rëndësishëm, për të hyrë në poetikën e Dritës, është edhe vargu i dytë (të gjethta, të ngjethta). Edhe këto fjalë janë shkruar para altarit.

Po e hedh të plotë këtë poezi që do t’i rikthehem për ta këqyrur në vetvete dhe në lidhje me poezitë konkurrente.

ÇAST SHEMBJESH...

Shfletoj arkivin e poezive të mia të bardha,

të gjethta, të ngjethta,

e shfletoj e, në mes, një letër e bardhë është varri im.

E nuk e gjej asnjë poezi për ta ngushëlluar veten.

Ndër mend më vjen nji luftëtare e pazakontë.

Vargje trimërie i thur asaj,

dhe një dekoratë të ajërt i bëj,

një adresë të panjohur i shkruaj.

Një numër telefoni po ashtu të panjohur,

pastaj e lëshoj në mendjen time të panjohur.

E ndjek pak Kafkën sa për modë,

sytë i rrjedhin djersë.

Unë qesh me vete

dhe, papritur

më rrethojnë disa njerëz sypëllumba, sydrerë, syveshë.

Kthej kryet

e prap jam vetëm.

Ndjej një dhimbje,

ngushëllohem,

ndodhem te fleta e bardhë.

Qëllimi im nuk është të zbërthej vlerat e kësaj poezie, por ta shikoj atë të bashkëlidhur me librin.

Ata që shkruajnë poezi e dinë se gjysëm vargu “ ... një letër e bardhë është varri im”, shpreh lojën e krijimit.

Do ta lë përkohësisht këtë gjysëm varg në shenjtërinë e tij funksionale dhe do shkoj drejt tij, nga një shteg tjetër arsyetimi.

Kur krijon, poeti përkthen vetveten pa e ditur tekstin bazë. Në të vërtetë ai kërkon të krijojë tekstin bazë që është i fshehur në psikikë. Poeti është përkthyes absurd se përkthen vetveten para se të krijojë tekstin. Ai përkthen paragjuhën estetike të psikikës të mbingarkuar. E shkarkon psikikën për të krijuar tekstin bazë dhe njëherësh e përkthen në gjuhë estetike këtë tekst që po e krijon. Kufijtë e krijuesit (psikikës) dhe rikrijuesit (estetikës) zhduken kur lind poezia.

Çasti më i vështirë midis krijuesit dhe rikrijuesit fillon para letrës së bardhë. Psikika dhe estetika kërkojnë të lindin poezinë, por nuk janë të bindur se në mitrën e tyre është lidhur fryti. Ato ndjejnë se kanë qenë të dashuruar dikur, sidomos psikika, por nuk e dinë nëse është krijuar lidhja frutdhënse.

Ato e përdorin çastin krijues për të vënë në provë kohën psikike të dashurisë... Çasti krijues është bashkimi i psikikes me estetiken në një rrethanë.

Çasti është një erë e re dashurie me farëra të vjetra brënda poetit. Por çasti në fillim është një letër e bardhë, i përfytyruar nga rikrijuesi (estetiku) si “varrri im”. Prandaj çasti para letrës së bardhë është koha e një drame absurde, por nga çasti absurd lind krijimi. Në sipërfaqe, çasti krijues është i veshur me absurd. Në thellësi, absurdi kërkon paralogjiken e thadruar në psikikë, në dalje ai është estetik. Kërkimi i logjikes në brendësi, e shpëton çastin nga absurdi. Fundi i absurdit është rikrijimi i poezisë. Rikrijimi është një përkthim. I kujt? Natyrisht, i krijuesit dhe rikrijuesit, me një fjalë të vetme, jo adekuate, i poetit.

Te poezia e Dritës, “Çast Shembjesh...”, ku është çasti rikrijues që ka lindur nga psikika e mbingarkuar? Në vargun e parë?

Jo, ai ka bërë vetëm shërbesën gjuhësore të parahistorisë të çastit, që pret të lindet.

Vargu funksional, farëhedhës, në poezi është gjysëm vargu: “ ... Një letër e bardhë është varri im”.

Ai është pika më e lartë e poezisë. Vargjet e tjerë kanë zbërthyer atmosferën absurde të tij.

Ai pasqyron dramën e brendshme të lidhjes së psikikes me estetiken. Ai është i ndërgjegjshëm, por edhe psikik.

Nga ai rrjedh poezia në çastin e përshtatshëm, rrjedh foshnja poezi nga nëna psikikë me partnerin estetikë..

Te poezia e Dritës, kjo lidhje e foshnjës... me nënën... dhe partnerin e saj duket qartë. Të gjitha tiparet e foshnjës..., janë dhënë në vargje. Ato japin rrugën e ngjizjes së poezisë dhe “lëshohen në mendjen time të panjohur”, siç thotë Drita.

Ky gjysëm varg është vargu i parë dhe indi lidhës i librit “Andrra dhe Gjethe”. Ai e kapërcen edhe librin. Ai është vargu i parë dhe indi i gjithë poetikës së Dritës. Ai është altari para të cilit poetja falet.

Ka një varg të tillë poezia (të dytin): “Të gjethta, të ngjethta”.

Ky varg mbart ndërgjegje kritike, prandaj logjikisht është krijuar para çastit të ngjizjes së kësaj poezie. Ai pasqyron dramën absurde të krijimit dhe njëherësh ndërgjegjen estetike të poetes.

Të gjethta, mund të përkthehet si estetika e çastit dhe, të ngjedhta, mund të përkthehet si psikika krijuese e mbarsur me ankth.

Të gjethta dhe të ngjethta, përkthehet edhe si mjetet artistike të poezisë së Dritës.

Poezia, para se të ngjizet, është ankth që kërkon të shpëtojë nga psikika për të vajtur te estetika. Rikrijuesi estetik e vret... psikikën dhe të dy i vret... foshnja (poezia).

Të ngjethta mund të përkthehet edhe si kohë psikike me ankth në çastin e krijimit dhe para tij.

Fjala të ngjethta ka anatomi të ndërlikuar. Mbetjet e patretshme të historisë e bëjnë më të thekshme ngjethjen.

Të dyja fjalët e vargut janë tipare thelbësore të poezisë së Dritës.

Këto tipare poetike, vetë Drita i ka pikasur dhe i ka theksuar. Prandaj ky varg është krijuar në një kohë tjetër dhe është futur në këtë poezi si detaj karakterizues i poetikës.

Tani të shikojmë se si kjo poezi e ka shpërndarë funksionin e saj në poezitë konkurente.

Të gjethta - t... dhe të ngjethta - t..., këqyren nga syri i gjysëm vargut ... një letër e bardhë është varri im. Pa këtë kqyrje dhe pa urat në brendësi të dy fjalëve simbole me këtë gjysëm varg, libri s’do të kishte një unitet psikik dhe, mandej, një unitet estetik.

Edhe titulli i librit “Andrra dhe Gjethe”, është projektuar nga drita e gjysëm vargut dhe e dy fjalëve. Ngjajshmëria e titullit me të dyja fjalët është e dukshme. Andrrës i përkon fjala të ngjethta dhe Gjethe i përkon fjala të gjethta.

Fjala të gjethta krijon lidhje më të afërta me stinën e pranverës, por në poezi ajo e tejkalon kuptimin stinor. Ajo kërkon të përkojë me çastet e hareshme që jep jeta, por në këto çastet ka dromca të ngjethta.

Ndërthurja e të gjethtës me të ngjethtën është një tipar poetik i natyrshëm i poetes.

Fjala të ngjethta përkon me një gjendje pas një lufte.

Libri “Andrra dhe Gjethe” ka një unitet të brendshëm instinktiv.

Poezia e Dritës është shkumbzuese, e ngarkuar me shumë pyetje, mohime, pohime, mistikë, dialog të brendshëm. Ajo grafikisht nuk shprehet me një vijë e drejtë zbritëse. Ka zigzake që shkojnë drejt zgripit.

Ky tipar është cilësi e poetëve që ndërlidhin shqetësimin poetik me lexuesin në forma të ngjashme me instinktiven, ku kultura formale del dytësore.

Poezitë e librit kanë një kod të brendshëm psikik. Kanë ankthin, të pashpjegueshëm me mjetet kulturore. Duhet ravguar në psikikë dhe në psikikën historike për të shpleksur këtë kod.

Kur i lexon këto poezi të ndjek ankthi i tyre. Duhet të jesh përgatitur për t’a bërë pjesë tënden këtë ankth, që te Drita është edhe ankthi i fisit i mbartur në njeriun modern.

E çuditshme, një njeri i kohëve moderne, në një qytet të madh, lidhet me ankthin e fisit që vjen prej kohëve. Ky ankth i saj, në brendësi, është kolektiv. Ajo e përfaqëson me zërin poetik.

“Në pasqyrën e pasme/ zhduket atdheu./ U tremba.” (Ulqin).

Atdheu është i rikrijueshëm vetëm subjektivisht. Zhduket atdheu, domethënë merr ngjyrën e letrës së bardhë, pa reliev. Është e njëjta gjendje ankthi si te gjysëm vargu arketip. Kjo poezi ka rrjedhur nga arketipi psikik i Dritës. Ai në brendësi ndryn edhe një histori të vërtetë coptimi, zhdukjeje. Tani poetja e rikrijon historinë në trajtën e lirikës dramatike, duke lëshuar një ankth të vjetër.

Arketipi psikik i Dritës një letër e bardhë është varri im, është gjeneratori krijues i saj. Ajo krijon duke e çliruar arketipin e saj në trajta të ndryshme. Dhe arketipi psikik, i kthyer në arketip estetik, kryen funksionin e lidhjes së fshehtë në krijim, duke mbetur gjithnjë më funksionali.

Arketipi poetik me të dy fjalët karaktere artistike formojnë Trininë Poetike të Dritës. Një letër e bardh është varri im, - Ati, Të ngjethta, - Biri, Të gjethta, - Shpirti i Shenjtë.

“Kufini,/shkrimi i verbët/ i shiut.” (Morinë). Mund ta përkthejmë këtë imazh të rrallë me fjalorin e psikikës poetike të Dritës, që do të rindërtojë duke zhbërë kufijtë e brendshëm natyrorë të vetvetes (shkrimi i verbët i shiut). Por mund të shtojmë: Ky imazh ka një lidhje me gjysëm vargun një letër e bardhë është varri im.

“Këtyre fjalëve u mungon koha/ një adresë të panjohur u shkruaj’. (Flokët nuk po më thinjen). Këto vargje janë mbetje të poezisë. “Çast shembjesh...” që janë futur në një strukturë tjetër.

Poezia: “Unë nuk jam poete”, është pamja e përkundërt e poezisë “Çast shembjesh....”.

Kjo poezi karakterizohet nga e gjethta. Ajo është e ajërt, trillane, vallzon brenda imazheve. Ajo i ka shpëtuar të ngjethtës..., por edhe te kjo poezi nxjerr krye, në trajtë tjetër gjysëm vargu: “Poetët rinë zgjuet/ mbi letër të bardhë”.

Të dyja poezitë janë pasqyra për njëra-tjetrën. Ato kanë këmbyer çastin psikik në krijim. Njëra është ndikuar nga e ngjethta dhe dhe tjetra nga e gjethta.

Poezitë e Dritës edhe në ritëm kanë një ankth, edhe në lëvizjet e ritmit ndihet ankthi.

Po ç’është poezia për Dritën?

Te “Poezia ime” ajo thotë: “Ah kjo shije/ e jetës”. Pra, është shije e jetës. Nuk është pak, është shije e jetës. Është e gjethta dhe e ngjethta e jetës që rikrijohen në poezi.

Unë ndoqa një hulli të librit, parapëlqeva një poezi, dhashë disa arsye pse e veçova, pashë si rrezaton ajo në libër, pikasa një gjysëm varg që më shëmbëlleu si arketip psikik, shqova dy fjalë, që mendova se janë karaktere të poezisë, vërtetimin e bëra dobët, veçse e skicova. Jashtë kësaj sprove lashë shumë nga libri, mbase të gjithin.

Donte shumë mund dhe më shumë hapësirë.

Të gjykosh është më e lehtë se sa të krijosh. Patra 11janar 2019

Login to post comments