Regjisorja e guximshme që thyente tabutë

E mërkurë, 30 Janar 2019 14:05

Filmat e guximshëm të Ida Lupinos, jehojnë edhe sot, 70 vjet pasi janë bërë, shkruan për BBC kritikja e filmit Caryn James. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.

Në një skenë të guximshme dhe të realizuar në mënyrë brilante në filmin “Outrage” (Tronditja, 1950) të Ida Lupinos, një grua e re me emrin Ann del nga zyra e saj, natën vonë, drejt parkut të makinave të braktisura. “Hej, bukuroshe!” Një burrë bërtet dhe e ndjek. Ann vrapon në rrugica dhe ngushtica mes kamionëve. Godet një dritare për ndihmë, por s’merr përgjigje. Për pesë minuta e ndjejmë frikën e heroinës, derisa ajo bie dhe gjithçka kalon në skenën tjetër: Ann duke u kthyer në shtëpinë me rrethoja, ku jetonte me prindërit, e tronditur dhe e traumatizuar nga sulmi.

Ida Lupino gjatë xhirimeve të filmit “Outrage”

Pos modës dhe veturave të vjetra, ajo skenë mund të realizohet edhe sot. Por, ku ka gjë më të mirë se Hollivudi i vjetër dhe si Ida Lupino!?

Fjala “përdhunim” nuk përdoret kurrë në “Outrage”, edhe pse ajo që ndodhi është e qartë. Duke thyer shabllonët e kohës që shpesh fajësonin viktimën, filmi portretizon Annën si të pafajshme dhe në mënyrë empatike shfaq stresin e saj post-traumatik. “Outrage” shfaq të gjitha cilësitë e një regjisori që ishte para kohe.

Në vitet 1940 Lupino njihej si një aktore. Ajo ka luajtur ndër të tjera në filmat “They Drive by Night” (1940) dhe “High Sierra” (1941) me Humphrey Bogartin. Por, për një kohë shumë të shkurtë, në vitet 1949-1953, bën regjinë e gjashtë nga shtatë filmat e saj, duke qenë edhe bashkëskenariste.

Lupino si aktore në filmin “High Sierra”, përkrah Humphrey Bogartit

Ajo ishte regjisore në botën e mashkullit, por përtej kësaj, filmat e saj meritojnë të rizbulohen, sepse janë të thellë, elegantë dhe të guximshëm. Lupino shpesh ka trajtuar çështjet sociale që ishin tabu. Dy filmat e saj më të mirë janë “Outrage” dhe “Not Wanted” (I padëshiruar, 1949) që flet për një grua të vetme që mbetet shtatzënë. “Never Fear” (Mos u frikëso, 1949) merret me epideminë e poliomelitit. E, të gjithë filmat e saj kanë dhembshuri për heroinat dhe kritikojnë shoqërinë paragjykuese. Në aspektin artistik, stili noir i jep më shumë zë trazirave të brendshme të personazheve.

E frustruar nga rolet e zonjave të rrepta, ajo refuzoi të ripërtërijë kontratën afatgjate me kompaninë Warner Brothers. Nisi shkruante, fillimisht filmin “Not Wanted”. Kur regjisori i këtij filmi, Elmer Clifton, përjeton sulm zemre disa ditë pas xhirimeve, Lupino – e etur për të mbrojtur punën e saj – merr përsipër regjinë. Asaj nuk ia vunë emrin si regjisore, edhe pse dihej merita e saj.

Lupino, gjatë xhirimeve të filmit “Never Fear”

Lupino kishte mësuar shumë për filmat noir, duke luajtur me regjisorët Nicholas Ray dhe Raoul Walsh. “Not Wanted” zbaton stilet e tyre, në rrëfimin për Sallyn – një vajzë që bie në dashuri me një pianist të klubeve të natës. Filmi fillon me Sallyn duke ecur në një kodër të pjerrët. Ajo kalon pranë një karroce fëmijësh të cilën e merr me vete, bashkë me fëmijën, duke thënë në huti: “Është fëmija im”. Kur arrestohet për rrëmbim, shufrat e qelisë së burgut hedhin hije të lehta mbi të, duke treguar burgimin emocional që ajo tashmë po e vuante.

Por, në flashback e kuptojmë se si arriti aty. Steve, pianisti joshës i xhazit (i luajtur nga Leo Penn, babai i Sean Pennit), kalon në qytetin e vogël të Sallyt. Në natën e tij të fundit aty, flenë së bashku (kamera ndalet kur veç e shohim një puthje, sepse Lupino luante me kufizimet e Kodit të Censorit të Hollivudit, që refuzuan edhe titullin origjinal për filmin – “Unwed Mother” (Nëna e pamartuar)). Kur Sally ndjek Steven në një qytet të ri, ai e braktis me fjalët që lëndojnë edhe sot: “Ishim dy njerëz që e dinim se çfarë po bënim, e mban mend? Unë kurrë nuk ta kam dhënë ndonjë ide të rreme për t’u martuar dhe për t’u plakur së bashku… Nuk të kam gënjyer kurrë, kuptoje këtë”.

E frustruar nga kufizimet e imponuara për rolet e saj, ajo Lupino iu kthye shkrimit dhe regjisë

Lupino përdor truke vizuale për të zbuluar gjendjen e mendjes dhe të trupit të Sallyt. Një ekspozim i dyfishtë tregon fytyrën e Sallyt teksa sheh ëndrra me sy hapur, dhe Steven teksa luan në ëndrrat e saj. Me Steven e larguar, Sally e gjen veten në një shtëpi për nënat e pamartuara, ku një gruaja i thotë: “Jemi mikeshat tuaja, jo gjykatësit tuaj”. Ajo e pyet Sallyn nëse dëshiron ta mbajë fëmijën – një zgjedhje kjo e vështirë në kohën kur gratë e pamartuara detyroheshin t’i jepnin fëmijët për adoptim. Sot, aborti do të ishte si zgjidhje, por vështirësia e vendimit të saj do të rezonojë me zgjedhjen e çdo gruaje për të ardhmen. Natyrisht, disa dialogje janë të tejkaluara sot, fatmirësisht, si p.sh. kur Sally pyet për familjen që mund të adoptojë fëmijën e saj, e asaj i thuhet: “Do të jenë njerëz të racës dhe fesë tuaj”. Por, paraqitja e Sallyt megjithatë ishte radikale për vitin 1950 dhe përmes saj Lupino ofronte një vizion për një bote më të hapur.

Lupino përkrah aktores Mala Powers (Ann) në xhirimet e filmit “Outrage”

Edhe “Outrage” është po aq radikal. Elementët e thyerjes së kufijve nisin kur Ann dhe prindërit raportojnë krimin në polici, gjë të cilën shumë gra nuk e bënin atëherë, e madje as sot. Prindërit dhe i fejuari e saj bashkëndjejnë me të. Megjithatë, ajo prish fejesën duke i thënë partnerit të saj se “gjithçka është e pistë” dhe “nuk do të harrosh kurrë”. Ajo ikën në një qytet tjetër. Atëherë hijet bardhezi kthehen në diell kur Anna shkon për të punuar në një fermë portokalli. Por, as aty nuk mund të shpëtojë nga traumat. Në një piknik, kur një burrë që nuk e njeh përpiqet ta puthë, i kthehet kujtimet e sulmit. E shohim në flashback një shenjë në qafën e përdhunuesit, kur afrohet ky burrë pranë saj. Në panik, Ann godet. Por, Lupino sërish i rrethon heroinat me karaktere që kuptojnë dhe paraqesin më të mirën e shoqërisë. Një prift e ndihmon, jo duke ofruar këshilla fetare, por duke e ndarë një histori të ditëve të tij të errëta, pasi u plagos gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përvojat e përbashkëta të stresit post-traumatik, bëhen epiqendra emocionale e filmit.

Lupino me burrin e saj Collier Young

Shumica e filmave të Lupinos u prodhuan nga “The Filmakers”, një kompani që ajo e nisi me bashkëshortin e saj të dytë, Collier Young. Marrëveshja e keqe për shpërndarje me kompaninë RKO të Howard Hughesit, ndikoi në dështimin e kompanisë më 1955. Lupino vazhdoi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si regjisore televizive, në projekte të zbehta që nuk lejonin as art e as autorësi.

Por, karriera e saj e shkurtë si regjisore ishte e mahnitshme. Filmi i vitit 1953, “The Hitch-Hiker”(Autostoperi) ishte më i suksesshmi në aspektin komercial. Është ky një thriler rreth dy burrave të marrë peng nga një vrasës serik. Sot, mungesa e origjinalitetit duket si çelës suksesi: fokusohet tek personazhet meshkuj dhe mund të jetë bërë nga shumë regjisorë tjerë të shkollës së noirit. Por, vetëm Ida Lupino mund të kishte bërë “Outrage” dhe “Not Wanted”, filma që flasin ende, pothuajse 70 vjet pasi u shfaqën. Dhe, vetëm Lupino mund të kishte bërë filmin “The Bigamist” (Bigamisti, 1953), në të cilin një shitës martohet me dy gra, të luajtura nga Lupino dhe Joan Fontaine. Atëherë Lupino dhe Collier Young ishin të shkurorëzuar. Young, skenaristi i filmit, ishte martuar me aktoren Fontaine. Ky rreth është i pari i tillë në historinë e filmit, pra edhe një tjetër arritje interesante e Lupinos. /Telegrafi/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...