Franca nxjerr në qarkullim pullën postare me imazhin e Skënderbeut.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
“Imazhi i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është propozuar nga “La Maison de l’Albanie” me vizatim grafik sipas projektit për sheshin “Skanderbeg, Paris”, të piktorit Zamir Mati”, thekson Majko.
Sipas tij, pulla postare, me të cilën nderohet figura e heroit kombëtar shqiptar, nxirret në qarkullim nga “La Poste, France”.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e heroit tonë kombëtar lidhet me luftën mëse çerekshekullore kundër pushtimit osman. Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënoi një kthesë vendimtare në organizimin politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar.