Të lexosh nuk mjafton vetëm të dish gërmat por të depërtosh në botën e mesazheve universale e ta rrokësh atë. Librat për fëmijë janë një pasuri e rrallë dhe e larmishme e ideve të cilat ndikojnë në procesin e formimit të fëmijës. Por fenomeni i leximit te fëmijët duket se po zbehet dita-ditës. Kështu shprehet njëri nga kolosët e letërsisë shqipe për fëmijë, Gaqo Bushaka, i cili thekson se kjo letërsi për fëmijë po kalon një periudhë tranzitore.
Bushaka: Fëmijët lexojnë shumë më pak se sa lexonin përpara. Duhet ti kushtohet një rëndësi e veçantë botimit të librave.
Libri çdo ditë e më shumë po largohet nga duart e lexuesve të vegjël.Kjo për shkak se çmimet nuk përballohen dot nga prindërit. Një problem që shtrohet është çështja e gjuhës shqipe, e cila në shumë përkthime çalon. Detyrimisht gramatika dhe gjuha shqipe në terësi shkon e mangët te fëmijët.
Bushaka: Duhet t'u kushtohet vëmendje shumë autorëve shqiptarë sepse me leximin fëmija thith dhe gjuhën. Ndoshta vetë përkthyesi nuk ka arritur të gjejë thelbin e këtij libri.
Libri është guri i themelit në përgatitjen dhe zhvillimin intelektual të fëmijëve dhe orientimi i të vegjëlve drejt leximit dhe drejt librit fizik mbetet një sfidë e kohëve moderne.