ODA nesër shënon 16 vite punë përmes premierës së shfaqjes “Graviteti”

Premte, 01 Mars 2019 13:42

Teatri ODA nesër do të shënoj 16 vjetorin e themelimit përmes premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus.

“Graviteti”, një shfaqje teatrore e përbërë prej skenave – kronikë të bazuara në personazhe reale, ngjarje e fenomene nga e kaluara dhe e sotmja, që të përbashkët kanë lidhjen, shpeshherë edhe të pashpjegueshme, me atdheun. Graviteti – është forca që tërheq në mënyrat më të ndryshme personazhet e këtyre kronikave. Tablo e ngjarje fiktive të “muzeut gravitacional” nisin prej Skënderbeut, Arbëreshëve, emigrantëve të parë të Shqipërisë e deri te personazhet e ditëve të sotme të mërguar apo të kthyer. 

“Graviteti” ofron një eksperiencë artistike të eksplorimit të lidhjes së veçantë të shqiptarëve me atdheun, prej këndvështrimeve dhe situatave nga më të ndryshmet, ku fuqia e gravitetit arrin deri edhe në aktet më sublime njerëzore.

Tekstin e kësaj shfaqje e ka bërë Lirak Çelaj, regjinë Florent Mehmeti. Aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqjes janë: Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku. 

Shfaqja “Graviteti” do të fillojë në ora 20:00 dhe përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës

Login to post comments