Folklori i pasur bullgar erdhi përpara publikut kuksian nën interpretimin e Ansamblit të Valleve Popullore bullgare “Vangeloff”.
Artistët performuan valle me motive dhe muzikë të traditës bullgare, me tematika të larmishme dhe koreografi që kanë hyrë në “Fondin e Artë” të trashëgimisë bullgare.
Aktivitetin e përshëndeti edhe ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Stoyanov Raytchevski.
Në skenën e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” performoi edhe grupi artistik i Shishtavecit me disa koreografi folklorike nga treva e Gorës.
Ky koncert u organizua me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri dhe Konsullata e Nderit e Republikës së Bullgarisë në bashkëpunim me bashkinë Kukës.