Vëllezërit Manaqi dhe një takim befasues me ish-Presidentin e Republikës, Z. Sali Berisha

Diel, 14 July 2019 14:06

Nga Abaz T.Hoxha

Isha ulur në tavolinën time në dhomën e punës i përqëndruar në analizën e dokumenteve dhe fakteve që kisha grumbulluar për jetën, veprën dhe origjinën e vëllezërve Manaqi. Një intervistë që kisha regjistruar kohët e fundit nëpërmjet receptorit të telefonit u kishte dhënë optimizëm kërkimeve të mija shumëvjeçare. Ishte 31 dhjetor 1983. Ora po shkonte 22.00 dhe unë nuk po shkulesha nga tavolina. Ime shoqe kish ardhur disa herë në dhomë dhe kërkonte që të ndërprisja punën dhe të fillonim përgatitjet për vitin e ri. Por në fund ajo u tregua më e vendosur dhe unë u detyrova të ngrihesha dhe të shkoja në dhomën tjetër ku ishte përgatitur tavolina për festimin e Vitit të Ri. Befas vura re se tavolina ishte shtruar për 4 veta ndërsa ne ishim vetëm dy. E pyeta atë se kush do na vinte që kishte shtruar 4 pjata e gota. Ajo, ndonse e pakënaqur nga veprimi im, vuri buzën në gaz dhe u përgjegj:- Kam ftuar për darkë miqtë e tu, vëllezërit Manaqi, se ti ke gati 4 vjet që me ata po jeton dhe më ke harruar fare mua.E shikova me dashamirësi dhe me një farë pendimi e keqardhje se vërtet e kisha harruar edhe veten edhe familjen duke u marrë për një kohë të gjatë me zbulimin e dokumenteve që kishin lidhje me vëllezërit Manaqi, kineastët e parë në trevat ballkanike.Vazhdova punën kërkimore edhe shumë vjete të tjera. Dashur pa dashur u futa në shumë degë të shkencave. Studjova E. Çabejn (studime filologjike) për parashtesat dhe prapashtesat e emrave dhe mbiemrave shqiptarë, gjeta regjistrin kombëtar të popullsisë dhe kërkova rreth për rreth e krahinë për krahinë ku kishte emra ose mbiemra të ngjashëm ose me rrënjë e mbrapashtesë të njëllojtë. Studjova folklorin e krahinave të Konicës, Mecovës, Grebenesë etj., prej nga ata kishin origjinën për të parë kujt i këndonte populli i atyre krahinave dhe për të nxjerrë përbërjen e popullsisë (Thimi Mitko: ”Bleta Shqiptare”, 1878 dhe “Dorëshkrimet e Pragës”, 1890, Spiro Dine: “Valët e detit”, Sofie, 1908 etj). Mora disa harta gjeografike franceze, gjermane, italiane, turke dhe të dhëna statistikore për përbërjen e popullsisë të atyre krahinave. Lexova anuare dhe të dhëna historike dhe dokumente që tregonin lidhje të atyre zonave me pjesën tjetër të Shqipërisë. Por më mungonte një dokument mjaft i rëndësishëm të cilin kisha vite që po e kërkoja. Vazhdova ta kërkoja me këmbëngulje për mbi 10 vjet por ishte e pamundur ndonse iu isha drejtuar për ndihmë shumë studjuesve në vende të ndryshme të Evropës. Bëhej fjalë për një libër të botuar në Jugosllavi me titull “Brati Manaki” me autor Pavle Konstantinov. Një miku im nga Londra më kishte shkruar se ky libër ishte botuar por ishte hequr nga qarkullimi nga shtëpia botuese mbasi ishte konsideruar i pa përshtatshëm. Kjo më kishte shtuar kureshtjen. Por mundësi nuk kisha të shkoja në Maqedoni ku mund ta gjeja atë në fondin rezervë të Bibliotekës.Dhe rasti i mirëpritur erdhi 13 vjet më vonë.Në nëntor të vitit 1996, një ditë pa pritur, më njoftuan në telefon se më kërkonte presidenti i Republikës z. Sali Berisha. Ishte një gjë befasuese për mua sepse nuk e kisha njohur atë më parë personalisht por vetëm nëpërmjet të ekranevet të televizionit. Nuk kisha bërë asnjë kërkesë që ai të më thërriste në zyrë, prandaj i thashë zonjës që më mori në telefon nga Ministria e Kulturës që ta verifikonte se mos ishte ndonjë gabim. Mbasi ajo u informua më tej më njoftoi se Presidenti na kishte kërkuar së bashku me Ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sporteve z. Teodor Laço. I çuditur dhe kurioz shkova në Ministrinë e Kulturës. Gjatë udhëtimit në makinën e Ministrit e pyeta atë përse na ka kërkuar? Ai mblodhi supet. As unë nuk e di arsyen, më njoftuan vetëm se duhej të të merrja me vehte se na kërkonte Presidenti.Kur shkuam atje, ai na priti në zyrën e tij së bashku me Sekretarin e Përgjithëshëm të presidencës z. K.Topalli. U ulëm ballë për ballë dhe unë po prisja i hutuar arsyen.Z. Berisha m’u drejtua:- Ju jeni Z.Hoxha!- Po, - i thashë i befasuar.- Ai u ngrit në këmbë, më mori të dy duart e mi shtërngoi duke më thënë:- Faleminderit shumë. - dhe ashtu me duar të kryqëzuara iu drejtua ministrit:- Ja, ky i shërben Atdheut, kulturës shqiptare. Ju si ministri nuk bëni asgjë.Unë ende i çuditur nuk po merrja vesh përse bëhej fjalë. Ai m’u drejtua përsëri mua:- Unë jam plotësisht dakord me ju, zoti Hoxha. Ata janë shqiptarë - Kam ndjekur intervistat tuaja në television dhe para disa ditëve pashë në EURONEWS, disa kronika xhiruar nga vëllezërit Manaqi, që jepnin maqedonasit ku thuhesh se ishin kostume dhe valle popullore maqedonase. Ato nuk ishin maqedonase, por kryesisht të Shqipërisë të zonës JugëLindore.Dhe iu drejtua përsëri zotit Laço:- Ata janë figura madhore të kulturës,janë të parët në trevat ballkanike, prandaj t’i viheni në dispozicion zotit Hoxha për ta ndihmuar të plotësojë studimet dhe në rast se ka gati ndonjë libër botojeni menjëherë në disa gjuhë. Lidhuni me I. Kadarenë se ai ndikon në qarqet intelektuale evropiane për ta popullarizuar. - Ndaloi pak dhe vijoi:- Ç’është kjo kinostudio “Shqipëria e re”. T’i vihet emri kinostudio “Vëllezërit Manaqi”. Të vihen emra shkollash e rrugësh me emrin e tyre.Z. Topalli dhe z. Laço mbanin shënime ndërsa unë u kthjellova dhe më çuditi pa masë ky interesim i veçantë i Presidentit të Republikës  për këto figura të shquara të cilat më parë nuk i kisha dëgjuar nga asnjë autoritet shtetëror, bile siç përmenda, më kishin penguar që të merresha me ato studime.Më pyeti si i kisha gjetur të dhënat për ta dhe unë tashmë në marrdhënie konfidenciale duke zënë veshin e majtë me dorën e djathtë prapa kokës iu përgjegja se ashtu me vështirësi. Më pyeti për vështirësitë që kisha patur, më dha kurajo dhe energji për vazhdim më të thellë të studimeve të mia. Më pyeti ku kisha nevojë të shkoja për të kompletuar studimet e mija. Dha porosi Sekretarit të Përgjithëshëm dhe Ministrit që të bisedonin me Smbasadën shqiptare në Athinë dhe të shkoja për vazhdimin e studimeve. Më pyeti në cilin shtet tjetër më duhet të shkoja për këto studime dhe hodhi edhe idenë e xhirimit të një filmi mbi figurën e tyre, dokumentar dhe, pse jo, edhe artistik. I thashë se më imediate do të ishte e nevojëshme të shkoja në Manastir (Maqedoni) ku ishte një muze që ruhej trashëgimia e tyre filmike dhe fotografike, por atje nuk shkoja dot se ata më njihnin që merresha me ato figura dhe nuk do më lejonin për t’u futur atje. Megjithatë udhëtimin e parë më duhet ta bëj në Shkup dhe prej andej të zhbiroj situatën dhe me synimin kryesor të gjeja librin që kisha kohë që po e kërkoja nëpërmjet Anglisë. U ngrit, më falënderoi edhe një herë dhe përsëriti porosinë për Ministrin që të ndihmohesha me të gjitha mjetet.U largova i mbushur me shumë mbresa e ndër të cilat kryesoret ishin:Si është e mundur që të gjejë kohë ky njeri për t’u marrë edhe me një studjues krejt të panjohur dhe të interesohet edhe për kineastët e parë të ballkanit. Bëja krahasimin me disa pushtetarë të kohës së diktaturës të cilët jo vetëm nuk më ndihmonin por edhe më penguan në punën time kërkimore për të nxjerrë në pah vlera kombëtare në fushën time dhe për të siguruar filma dhe dokumente me rëndësi të së kaluarës. Më vonë do ta krahasoja edhe me disa pushtetarë të tjerë që erdhën në fuqi pas vitit 1997 të cilët jo vetëm që nuk e çanin kokën për punonjësit e kulturës dhe shkencës por as denjonin të të prisnin kur bëje ndonjë kërkesë. Disa muaj prita që të takohesha me Ministrin e fundit të Kulturës për çështje që kishin të bënin me punën kërkimore ose probleme të kinematografisë si një veteran dhe një nga themeluesit e saj, dhe as që denjoi të më priste, kur në Institutet kinematografike të Italisë, Danimarkës, Anglisë, etj., vetëm sa merrnin vesh se kishin të bënin me një studjues në fushën e kinematografisë, autor i 15 librave, më hapnin portat dhe më viheshin në dispozicion.

kush_jane_vellezerit_manaqi_-1-1-905x395.jpg

Në shkrimin e gjatë që bëra në shtyp (Sponsorizoni botimet për kulturën dhe artin-gazeta “55” 15 gusht, 2002) duke iu drejtuar edhe Ministrisë së Kulturës për të promovuar studimet dhe studjuesit në fusha prioritare të shkencës, kulturës dhe artit, dhe për të drejtuar vemëndjen ndaj shumë studiuesve të cilët gjithë jetën e tyre e kanë kaluar nëpër bibliotekat dhe arkivat në një punë kërkimore stërmunduese duke harruar veten dhe familjen e tyre vetëm për t’i shërbyer kulturës dhe shkencës kombëtare ministria në detyrë, të nesërmen në një intervistë u përgjegj (jo mua direkt) pak a shumë në mënyrë të tillë:"Se Ministria merret me projekte të mëdha"!Nuk di kush ishin projektet e mëdha. Ne shikonim vetëm sponsorizime spektaklesh (disa të rëndomta) që ishin kryesisht për bujë të përkohëshme ku u bë si rregull që gjithmonë të thuhej në titujt e emisioneve televizive: ”Kjo veprimtari u bë e mundur nën kujdesin e Ministrit të Kulturës X (me emër e mbiemër).Në bisedën me z.Berisha krijova një ide se kisha të bëja me një njeri me horizont të gjerë kulturor. Interesimi i tij për figurat e shquara të kombit dhe traditat e vendit në të gjitha fushat më bëri të mendoj se kisha të bëja me një patriot të flaktë. Këto karakteristika të tij vazhdova t’i ndjek edhe më vonë kur ai ishte në opozitë dhe kur u ndodh në situata shumë të vështira dhe u braktis edhe nga shumë bashkëpuntorë të tij të afërt. Ai qëndroi i pa përkulur dhe përballoi shumë stuhi. Unë kam qënë vazhdimisht me pikpamje të djathta por asnjëherë anëtar i ndonjë partie të djathtë ose të majtë në këto 16 vitet e fundit, pra e ndiqja nga pozitat e një njeriu neutral, jo partiak, dhe ndonse disa veprime të tij nuk më pëlqenin, prapë se prapë shikoja tiparet kryesore si një njeri me vullnet të fortë, këmbëngulës, i ndershëm dhe i pakorruptuar, puntor i palodhur i pa përkulur, patriot dhe me njohuri të gjera në shumë fusha. Ky takim u bë shkas që pas disa ditësh të nisesha për në Maqedoni.Atje më thirrën në Televizionin e Shkupit dhe dhashë një intervistë të gjatë (rreth një orë) mbi historinë e kinematografisë shqiptare dhe sfidat e saj. Fola edhe për vëllezërit Manaqi, por pa e përmëndur origjinën e tyre. Të nesërmen më thirrën në Makedonska Kinoteka ku u takova dhe bisedova rreth dy orë me drejtorin e saj. Ata më kërkuan një shkrim mbi kinematografinë shqiptare të cilin donin ta botonin në revistën e tyre tre gjuhëshe “Kinopis”. Isha tepër i angazhuar me botimin e librit që doli në dritë dy vjet më vonë “Enciklopedi e kinematografisë shqiptare” dhe u thashë se jam tepër i zënë dhe nuk kam kohë. Më ofruan 20 marka gjermane për çdo faqe, por refuzova. Refuzimi nuk kishte të bënte vetëm me angazhimin t’im, por edhe me faktin që kërkonin të zbulonin edhe ata mbi qëndrimin t’im për vëllezërit Manaqi dhe disa ngjarje të tjera në fushën e filmit që ata i quanin të tyre. Dhe unë ende nuk mund të prononcohesha hapur.Të nesërmen, nëpërmjet të një aktori shqiptar arrita të futem në fondin e rezervuar të Bibliotekës së Shkupit, sigurova dhe fotokopjova faqe për faqe librin e shumë kërkuar “Brati Manaki”. Kjo ishte një arritje e madhe për mua. Atë natë nuk më zuri gjumi. Ndonse e kisha të vështirë me alfabetin cirilic sllav, e lexova deri në fund ndonse me shumë vështirësi gjuhësore. Duke qënë se kisha mbaruar studimet në Rep.çeke, dija çekisht sikurse edhe pak rusisht. Këto më ndihmuan të hyja në brendësi të ngjarjeve kryesore dhe të dhënave që më duheshin më tepër. Pashë se dyshimi im pse libri ishte hequr nga qarkullimi ishte i vërtetë. Autori ishte një studiues serioz dhe kishte nxjerrë në pah shumë të vërteta që hidhnin dritë edhe mbi emrin, shqiptarofoninë, miqtë e shokët e bashkëpuntorët e vëllezërve Manaqi të cilat më shërbyen shumë në nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare mbi origjinën e tyre. Autori i librit, Pavle Konstantinov, kishte bërë një punë shumë të gjërë kërkimore dhe kishte shumë fakte e dokumenta.Një ditë më vonë më bënë një ftesë në një stacion televiziv privat në Kumanovë ku fola gjithashtu rreth një orë. Aty fola edhe për origjinën shqiptare të vëllezërve Manaqi. Isha i shoqëruar nga Sefer Musliu i cili drejtonte emisionin shqip në Televizionin e Shkupit. Pas intervistës pronari na tha se kishte marrë në telefon një gjeneral dhe na lutej që të shkonim për vizitë në shtëpinë e tij. Ishte një gjeneral shqiptar në pension që kish qënë dikur Zv/Ministër i Punëve të Brendëshme të Maqedonisë për policinë. Shkuam atje dhe ai na priti me shumë përzemërsi dhe kishte shtruar një darkë, ndonse familjare por tepër dinjitoze. Pasi u njohëm me atë dhe të zonjën e shtëpisë ai m’u drejtua:- E ndoqa me vëmendje bisedën tuaj në televizion dhe do të ju jap një lajm të mirë. Unë e njoh djalin e Miltos, ai ka punuar me mua në organet e Punëve të Brendëshme. Edhe sot punon po këtu në Kumanovë. Takojeni. Eshtë njeri shumë interesant. Dhe pa pritur kureshtjen t’ime nga kjo informatë shumë me vlerë vijoi:- Por do të ju jap dy kshilla. Mos shkoni në shtëpinë e tij. Ai është martuar me një mjeke maqedonase dhe ajo është shumë shovene dhe do t'ju prishë punë. Përveç kësaj unë i njoh atij edhe një pikë të dobët që duhet ta keni parasysh. Leonidha ka qejf shumë të pijë. Prandaj i jepni ndonjë gotë të bëhet në qejf që të çlirohet.Qëndruam gjatë deri në orët e vona, ai na priti me përzëmërsinë shqiptare.Të nesërmen nga mesdita e mora në telefon Leonidha Manaqin (telefonin m’a kishte dhënë gjenerali). Fola me të në një gjuhë të përzier midis rusishtes dhe çekishtes, megjithatë u kuptuam.- Jam një studiues nga Shqipëria dhe interesohem për babain tuaj. Dua të ju takoj.- Faleminderit për interesimin, do kisha shumë dëshirë të ju takoja por jashtë po më pret bashkëshortja. Jemi duke u nisur për në Manastir se nesër kemi një gjyq për pronat e babait. Kur të kthehem nesër në darkë më merrni në telefon të lëmë një takim. E falenderova.Të nesërmen mezi prisja t’i telefonoja. Në mbrëmje e mora në telefon dhe më doli djali i tij që mbante emrin e gjyshit, Milto. U zhgënjeva kur më tha se babai i tij Leonidha ende nuk ishte kthyer se ishte shtyrë gjyqi për të nesërmen se nuk ishte paraqitur pala tjetër.Fatkeqësisht në Shqipëri kishin filluar trazirat e vitit 1997 dhe ngaqë ime shoqe ishte vetëm dhe e shqetësuar, u detyrova të kthehesha në Tiranë dhe të mos e takoja dot Leonidha Manaqin.Përpjekjet që bëra më vonë për të vazhduar studimet në kërkim të filmave për Shqipërinë shkuan kot. Ju drejtova krerëvet shtetërorë që tashmë kishin ardhur në fuqi, për ndihmë. Por askush nuk më ndihmoi dhe nuk më përfilli.

Modifikuar më Diel, 14 July 2019 14:15
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...