Poeti “rebel”, Pano Taçi

Diel, 14 July 2019 14:22

Nga Reshat Kripa

 

Në kuadrin e 90 vjetorit të lindjes së poetit


Sipas mitologjisë Feniksi ishte një shpend përrallor që kur mbushte moshen 500 vjçare bënte çerdhen, e shtronte me bimë aromatike dhe vdiste mbi të. Nga hiri i tij ai rilindte përsëri dhe ushqehej po me bimë aromatike. Ndaj sot, me përurimin që i bëjmë librit me poezi “Muzgu vjen papritur” të Pano Taçit, e kemi atë përsëri midis nesh, të rilindur si Feniksi, pasi poetët nuk vdesin kurrë. Ata rrojnë nëpërmjet vargjeve të tyre.. Dhe poeti shkruan:

Tërë jetën ç’jam përpjekur,
si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,
them se vargjet me ringjallin.

Për ç’jap shpirtin zemërmekur,
N’atë varr ku do më kallin, 
për ç’këndova duke vdekur,
them se këngët më ringjallin.

Ndaj sot e kemi përsëri të ringjallur bohemin e fundit apo poetin rebel, siç e kanë quajtur miqtë e tij. Pano Taçi i përket atyre poetëve që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një epokë të gabuar. Jetonin në një epokë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një epokë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që 
në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.
Megjithatë talentet e mëdha i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Këto vepra autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Ato ishin shkruar nëpër qelitë e errëta të burgjeve apo kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori“. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë lakej oborri. Një nga këta ishte padyshim edhe Pano Taçi. Ai i përket atij grupi poetësh që kishte dëshirë të mësonte, por nuk e linin për të mësuar, pasi ai qysh në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare do të provonte prangat e rënda të burgut për gati njëzetepesë vjet. Kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin për të punuar, pasi për të lejohej vetëm puna në bujqësi apo ndërtim. Kishte dëshirë të jetonte, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanve të regjimit. Kujt i mohoheshin këto? Atij, që qysh në moshën fëminore rrëmbeu armën për lirinë e vendit. Atij që ëndërronte për një Shqipëri të lirë, pa ferra dhe gjëmba? Dhe poeti shkruan:

Të rinj, naiv, si partizan,
dolëm malit për vatan
për çlirim të Shqipërisë
nga zinxhiri robërisë.
Dhe me ç’di ne bëmë mirë,
që morëm plagë për liri
e kur ne u bëmë të lirë
për duart tona, për çudi,
nuk kujtoheshin,
o Perëndi!
Në terr ne po farkëtonim
ca zinxhirë të rinj zezona
për plagët, për duart tona
me hallka kyçur në qeli.

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të shembeshin. I fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë. Dhe Panua shpërtheu. Nxorri nga arkivi i burgut poezitë e krijuara nëpër qelitë apo vitet e “vetmisë së madhe” dhe për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare, nga viti 1994 deri më 2009 botoi pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi dhe drama. Përse është quajtur poet rebel Pano Taçi? Sepse kishte nje shpirt rebel, nje shpirt që në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohej me padrejtësinë dhe ngrihej kundër saj. Që fëmi u ngrit kundër robërisë. U rebelua kur pa se idealet për të cilat kishte luftuar ishin tradhëtuar nga klasa sunduese. U rebelua edhe pas përmbysjes së regjimit totalitar kur pa se një pjesë e klasës politike të vendit i kish transformuar idealet e dhjetorit 1990 në interesa personale duke mos përfillur shtresat e tjera të popullsisë dhe u shua me zemër të plasur. Pano Taçi ishte edhe një poet lirik, Ai i këndoi dashurisë. Dashuria, së cilës ai i këndoi, ishte platonike. Vetëm kjo i lejohej. Atij ia prenë që herët ëndrrën e dashurisë. Regjimi nuk e lejonte as të dashuronte. E ku do të dashuronte ai, mos vallë në qelitë e errëta ku e kishin përplasur? Hyri në burg në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe doli prej tij në atë dyzetetrevjeçare. A mund të dashuronte ai kur gati gjysmën e jetës e kishte kaluar në skëterrë? Megjithatë, çuditërisht, dashuroi. Dashuroi nëpërmjet vargjeve të tij. Por edhe këtu ndihet dhimbja, një dhimbje që plekset me dashurinë. Poeti shkruan:

Kur mbi varr me ngashërim,
Do më qash tek rri në gju,
Sytë e tu mbi varrin tim,
Varri im mbi sytë e tu.

Ky ishte Pano Taçi. Ky ishte poeti ynë rebel, poeti i dhimbjes dhe dashurisë, poeti i revoltës dhe kundërshtimit, një Omar Khajam i letërsisë shqipe. Tërë jetën luftoi për të krijuar figurën e tij. Shumë u munduan ta pengojnë. ;Shumë u munduan ta lenë në hije. Por nuk ia arritën qëllimit. Ai triumfoi mbi të gjithë. Dhe vargjet e tij gjëmojnë fuqishëm:

Hieja ime del nga varri,
Më thotë: - Pse s’vjen të bësh gjumë?
I them: - S’vij unë qyqari,
Pa i lënë jetës një gjurmë.

Ndjenjat bëj t’i lë mbi letër,
që të thonë se jam dikushi.
Kur të vij te bota tjetër,
Si mik do më presë Lasgushi.

Pano Taçi la gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në letërsi. Ai ishte me të vërtetë dikushi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...