Mbi pasurimin e fondit filmik arkivor 

E mërkurë, 07 August 2019 12:23

Nga Abaz T. Hoxha

Mbështetur në studimin që kisha bërë 47 vjet më parë (12 nëntor,1972) të cilin e botova në mënyrë të përmbledhur në shkrimin e botuar në gazetën “Zëri i Popullit” me titull “Do të na duhet shumë Filmarkiva” jepja edhe disa ide për pasurimin e mëtejshëm të fondit filmik arkivor. Sigurisht që në atë shkrim, në radhë të parë shtrohej problemi i ruajtjes në kushte të përshtatëshme i filmave duke ruajtur parametrat e temperaturës dhe lagështisë relative për ti rezistuar kohës. 

1374964_531502980360033_2719241846988438393_n.jpg

Por ruajtja e fondit nuk është një qëllim në vetvete, ai ruhet per t’u shërbyer brezave për një periudhë shumë të gjatë. Fondi arkivor është një pasuri kombëtare që tregon rrugën e ndjekur dhe situatat që ka kaluar çdo vend në periudha të ndryshme historike por edhe ndryshimet që ka pësuar në të gjitha fushat e jetës. Për ruajtjen e fondit filmik u morën masa rigoroze dhe u ndërtua një arkiv i ri me koncepte bashkëkohore për të krijuar kushtet optimal të ruajtjes së fondit dhe u pajis me disa aparatura të veçanta të cilat kushtuan disa mijra dollarë. Mbasi u transferua fondi në një ndërtesë më të përshtatëshme, u morën masat për mbrojtjen e tij si dhe filluan proceset e krijimit të aparatit informativ, krijimi i kartelave bazë shkencore, kartelave teknike dhe të depos, skedarëve etj., si dhe të restaurimit të fondit të filmave të vjetër. Arkivi kishte një fond të trashëguar nga vitet 20-të e tridhjetë dhe nga koha e pushtimit, ndonse i konsumuar teknikisht por sidoqoftë me vlera njohëse e dokumente të rëndësishme të xhiruara nga të huajt. Përveç kësaj fondi pasurohej çdo vit nga xhirimet që bënte kinostudio, kinoditarë, filma kronikalë e dokumentarë si dhe filma artistikë e vizatimorë. Por kronikat dhe filmat dokumentarë të kinostudios përbënin vetëm ngjarjet e kohës, kryesisht ato zyrtare ose që mbështeteshin në dokumente të shkruara ose fotografi të së kaluarës. Kjo ishte kryesisht ana zyrtare dhe sigurisht që nuk mjaftonte. Prandaj përgatita një projekt perspektiv për xhirime arkivore për të përjetësuar ngjarje dhe data ose figura të shquara të kulturës dhe të artit si dhe pamje të qyteteve të objekteve kulturore e fetare si dhe të kështjellave e objekteve social-kulturore dhe industriale që ishin në ndërtim e sipër në mënyrë që këto të ishin si dokumente historike të cilat mbas dekadash e shekujsh të krahasoheshin me ndryshimet eventuale të pamjes së Shqipërisë dhe për të bërë krahasimet e progresit. Ndonse pata një rezistencë të madhe në organet e ndryshme brenda dhe jashtë kinostudios, munda ta miratoj këtë plan perspektiv të xhirimeve arkivale në Ministrinë e Arsimit e Kulturës dhe fillova zbatimin e tij në mënyrë të vendosur. Fillimisht m’u dha një automjet si dhe m’u vunë në dispozicion operatorë të kinostudios kur ishin në pauza të xhirimeve të planifikuara, më vonë mora një kinooperatore (Diana Diamantin) e cila ishte në dispozicion të arkivit për realizimin e këtij plani të xhirimeve. Në këtë plan të xhirimeve përfshiheshin: Xhirimi i figurave të shquara të kombit në fushën e kulturës dhe arsimit, figura të shquara në fushën e letërsisë dhe të arteve si poetë, shkrimtarë, shkencëtarë, studiues, gjuhëtarë, albanologë veteranë të luftrave për çlirimin kombëtar, etj. Xhirime nga ajri në të gjithë Shqipërinë të qyteteve të ndryshme të vendit. Xhirime të objekteve të mëdha industriale në fazën e përgatitjes dhe të ndërtimit. Xhirime të Kalave në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet të ajrit (me helikopter). Xhirime të objekteve të kultit të cilat ishin rrezik të shkatërroheshin si për arsye të fushatës së egër që ishte marrë kundër fesë ashtu edhe për ti patur si dokumentacion në rast të fatkeqësive natyrore, etj. Në këtë kuadër u bënë shumë xhirime për shkrimtarët Sterjo Spase, në familje, takim me lexuesit si dhe në fshatin e tij të lindjes, Dhimitër Shuteriqi në studio, në fshatrat e Elbasanit ku kish zhvilluar veprimtari gjatë luftës, në takim me lexuesit në Elbasan e gjetkë. Gjuhëtarin e njohur Mahir Domi, prof. Kuneshkën në veprimtarinë e tij pedagogjike dhe shkencore, poetin dhe shkrimtarin e madh shqiptar Dritëro Agolli (sinkron), poetin Llazar Siliqi në familje dhe qytetin e Shkodrës etj. Këto xhirime ishin të karakterit intim të jetës dhe veprimtarisë së tyre të përditëshme studimore e shkencore ose krijimtarisë së tyre artistike dhe jo ato të ceremonive zyrtare të cilat përfaqësoheshin në kronikat dhe filmat dokumentarë të kohës.

20799339_815803761929952_7807172764179815139_n.jpg

Një intervistë e gjatë dhe një xhirim u bë për veteranin e kinemasë në Shqipëri që çeli kinemanë e parë publike në qytetin e Vlorës (1920), 97 vjeçarin Kojdhel Zilja, intervistë me Prof. Irfan Tërshana në familje në lidhje me veprimtarinë e tij si një nga ekspertët në fushën e ndërtimit të objekteve sportive i njohur në gjithë Evropën. Në këtë intervistë bënte pjesë një dëshmi e tij për origjinën e kineastëve të parë shqiptarë në trevat ballkanike, fotografët e mirënjohur vëllezërit Manaqi. Një studim i gjërë për origjinën dhe veprimtarinë e shquar të aktorit shqiptaro-amerikan Xhon Belushi dhe shumë intervista të marra në fshatrat e Korçës për vizitat që kishte bërë atje nëna e tij Agnes Samara Belushi. Këto xhirime të bëra në bashkëpunim me Televizionin Shqiptar u përfshinë në filmin “Një meteor shkëlqeu në ekran” i cili u bë i mundur të shfaqej vetëm në janar 1992. Në xhirimet nga ajri (me Helikopter dhe avion) u bënë në të gjithë Shqipërinë që nga Valbona e Bjeshkët e Namura e deri në Sarandë ku në veçanti u morën nga ajri kalatë e kështjellat e Shqipërisë ku një vend të rëndësishëm zunë Kalaja e Rozafës, Kalaja e Krujës, e Beratit dhe e Gjirokastrës, Kalaja e Ali Pashës dhe e Borshit, gjuhëza e Karaburunit dhe Gjiri i Vlorës, etj. Në xhirimet nga ajri bëjnë pjesë edhe disa objekte industriale që kishin filluar të ndërtoheshin si Porti i Madh i Vlorës, marrë nga ajri, nga deti dhe nga toka e furnizimi me gurë për ndërtimin e tij me anije nga një port i vogël në bregdetin e Radhimës, Hidrocentrali i Fierzës (nga ajri dhe toka aspekte për ndërtimin e tij), punimet për ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, punimet për ndërtimin e TEC-it të Fierit dhe Rafinerinë e naftës në Ballsh, fabrikën e Plastikës në Lushnjë, etj. Ndonse unë jam ateist por gjithmonë i kam vlerësuar në maksimum objektet e kultit si një pasuri kulturore me rëndësi të jashtëzakonëshme për historinë e vendit prandaj nga frika se këto objekte po shkatërroheshin nga fushata e shfrenuar kundër fesë, mora operatoren Diana Diamanti dhe shkova në gjithë Shqipërinë e Jugut për të xhiruar ato objekte me rëndësi unikale, si kisha e Labovës, e Marmiroit, e Dhërmiut, etj., që ende kishin ngelur pa u shkatërruar që nëqoftë se tërbimi kundër tyre do ti shkatërronte të mbeteshin të paktën në film si dokumente historike. Një nga xhirimet më të organizuara u bë në rrugën e Barrikadave atje ku ka qënë Komanda e Përgjithëshme e xhandërmarisë në kohën e pushtimit, lagja përballë Poliklikës Qëndrore dhe Prokurorisë së Përgjithëshme. Në këtë bllok ndërtesash që do të prisheshin për arsye të planit rregullues të qytetit (ndërtimi i kullave 9 katëshe) gjatë luftës nacionalçlirimtare janë bërë luftime të ashpëra me gjermanët por ne në atë kohë nuk kemi patur operatorë dhe nuk janë xhiruar në film. Prandaj organizuam një betejë me një skuadër partizanësh dhe gjermanësh duke imituar luftimet si për marrjen e Komandës së xhandërmarisë ashtu edhe për shkatërrimet dhe prishjet që u bënë në atë sektor nga luftimet. Ishte një xhirim gati real në kushtet e luftës që u bë në atë zonë. Të gjitha këto xhirime dhe të tjera të kësaj natyre janë me vlera të jashtëzakonshme për historinë e kombit dhe për vlerat e tij intelektuale njerëzore si dhe të krijimtarisë popullore në shekuj. Për më tepër këto vlera në të gjitha fushat që përmendëm do tu shërbejnë studjuesve të ndryshëm për të ndërtuar bazuar në dokumente të historisë sonë kombëtare. Por fatkeqësisht me largimin tim nga Arkivi në vitin 1990 kjo veprimtari u ndërpre dhe grupi i xhirimit kaloi në shërbim të prodhimit të filmave.

12742045_546552272188437_481213711311586474_n.jpg

Përse? Duhet vetëm një operator me kamera (sot të sofistikuar dhe të lehtë dixhitale) dhe një makinë që do ti shërbente arkivit edhe për veprimtari të tjera! Këto mjete mund të siguroheshin edhe me sponsorizimin e institucioneve ndërkombëtare të kulturës, ambasadave të akredituara në Shqipëri ose me ndihmën e dashamirësve të artit. Ndoshta Ministria e Kulturës do ta ketë në konsideratë këtë çështje dhe vetë Arkivi duhet të bëjë përpjekje për ta ringritur këtë grup xhirimi. Një nga burimet e tjera të shtimit të fondit arkivor ishte edhe grumbullimi i gjithë kronikave dhe filmave që qëndronin nëpër magazinat e ndryshme të harruara dhe të pa përdorura të Ushtrisë dhe të Televizionit Shqiptar etj. Një ditë ish shefi i redaksisë së arkivit të Radiotelevizionit më thotë se kishin rreth 2000 akte kronika dhe ngjarje të ndryshme kulturore të vendeve të Demokracive të Lindjes të cilat nuk i përdornin për arsye të marrdhënieve politike të Shqipërisë n’atë kohë me ato shtete dhe se i kishin nxjerrë në listën e asgjësimit si pa vlerë dhe të pa përdorëshme. U çudita me këtë vendim dhe i thashë se do vij aty t’i shikoj listat. Pashë se ishin filma me shumë vlerë, ngjarje artistike e kulturore, ansamble artistike të këngëve dhe valleve, pjesë teatrore etj., me shumë vlerë. Prandaj e ndalova asgjësimin dhe i mora të gjitha në Arkivin tonë të filmave. Bashkë me kompozitorin Robert Radoja, që n’atë kohë punonte në Kinostudio, i pamë të gjitha i seleksionuam, kartelizuam dhe i futëm në fondin e përhershëm të arkivit si materiale me shumë vlerë sidomos artistike. (Kam dëgjuar që këto i ka rimarrë Televizioni dhe ka bërë mirë). Përsëri një mbrëmje shefi i Arkivit të Radiotelevizionit më mori në telefon dhe më thotë: - Si je? A je i ngarkuar dhe stresuar këto ditë? - I thashë pse të jem i mbingarkuar, jam si gjithmonë. - Për ngjarjet që kanë ndodhur, - më tha, - a nuk do bëni seleksionimin e fondit të filmave. - Përse duhet të bëjmë seleksionim, - i thashë. - Por ja duhet eliminuar nga arkivi persona të padëshëruar dhe armiq. E kishte fjalën për vrasjen e Mehmet Shehut. I thashë mos bëni seleksionime se do të përgjigjeni para historisë. Në qoftë se do të zhdukim çdo person që është dënuar apo mund të dënohet më vonë atëhere përse duhet të ekzistojë Arkivi. Arkivi grumbullon e pasurohet dhe nuk bën seleksionime. Përsa u përket personave të padëshëruar ato i vendos ose jo nëpër filmat regjisori ose redaktori për qëllimet që i duhen. Ne sot përdorim edhe kronika me Nikita Hrushovin për qëllime të ndryshme. Po sikur të mos e kishim ku do ta gjenim. Ky ishte një concept i gabuar për fondin arkivor.

1237288_212349022275432_1000997472_o.jpg

Arkivi nuk asgjëson por grumbullon sa më shumë filma që kanë vlerë dokumentare dhe historike. Një fond tjetër filmik me vlerë kishte edhe Ministria e Mbrojtjes, Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore, të cilat i kishte siguruar nëpërmjet të kanaleve ushtarake. Në to bënin pjesë; xhirime nga Lufta e Dytë Botërore dhe personalitete të asaj kohe të koalicionit antifashist, dekorimi i Wiston Churchill me rastin e 90 vjetorit të lindjes, shpërthimet dhe pasojat e bombardimeve bërthamore etj. Edhe këto materiale u morën në arkiv si dokumente me vlerë. Një burim tjetër pasurimi i fondit arkivor është shkëmbimet reciproke me arkivat dhe institucionet kinematografike të vendeve të ndryshme dhe veçanërisht të vendeve evropiane që kanë xhiruar në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Veçanërisht ndër këto janë me rëndësi të veçantë xhirimet që kanë bërë shoqëritë kinematografike evropiane në Shqipëri për të cilat u bënë disa kërkime në Institucionet kinematografike evropiane në Austri, Itali, Gjermani e gjetkë. Nëpërmjet kësaj pune kërkimore u siguruan disa materiale të xhiruara në vitet 1913-1920 nga shoqëritë kinematografike austrike "Saschafilmfabrik" si ardhjen e Princit V. de Vid në Shqipëri, xhirime në portin e Durrësit, në Tiranë, Vlorë e Berat, një episode sinkron ku aktori i madh Aleksandër Moisi reciton pjesë nga “Kufoma e gjallë”, hyrjen e trupave gjermane në Shqipëri nga Leskoviku dhe pritjen e tyre me entusiazëm nga njësitë e Ballit Kombëtar (xhiruar nga gjermanët), një film dokumentar xhiruar nga gjermanët në vitin 1932 që është me tekst shqip dhe muzikë shqiptare (është i pari film me zë xhiruar në trevat shqiptare) etj. Paralelisht u bë një listë me të gjithë filmat artistikë të huaj që kishin qarkulluar në kinematë shqiptare në vitet 1930 dhe ja u dërguam Institucioneve kinematografike evropiane për efekte shkëmbimi reciprok (mbasi disa filma të realizuara nga regjisorë dhe interpretuar nga aktorë të njohur nuk gjënden edhe në vendet e origjinës). Këtë listë e shpërndamë në Kongresin e Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave që u zhvilluan në Vienë në vitin 1984 dhe filluan marrëdhëniet reciproke për efekte shkëmbimi me Austrinë, Gjermaninë, Indinë, për filma të xhiruar nga regjisorë të njohur; me Rumaninë, me Institutin LUCE, Itali, për disa kronika italiane të xhiruara në ato vite të cilat nuk i kishin as producentët mbasi ishin zhdukur gjatë luftës etj.

1404456_231131903730477_950650588_o.jpg

Por fatkeqësisht këto kërkime u ndërprenë mbas vitit 1990 dhe shumë filma xhiruar nga anglezët, francezët, zviceranët, gjermanët, danezët, etj., në Shqipëri ose që kanë të bëjnë me Shqipërinë, mbeten ende nëpër arkivat e mësipërme. Kur vendodhja e tyre dihet se unë jam marrë dhe merrem vazhdimisht me kërkime e studime për zbulimin e filmave të xhiruara në Shqipëri nga shoqëri të huaja kinematografike në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka shumë probleme për të cilat ndoshta do të duhet të bëhet edhe një shkrim i vecantë. Si një njeri që e kam themeluar, ngritur, organizuar dhe drejtuar atë Arkiv për rreth 20 vjet më vjen keq që disa gjëra kanë ngelur në vend ose që kanë shkuar edhe më keq veçanërisht në mbrojtjen e fondit sikurse edhe për studime të mirëfillta shkencore me të cilat duhet të merren punonjësit e tij.

abazss.JPG

Marrë nga libri "Mbroj dashurinë time"-publistike 1 (1962-2019)

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...