‘Unike dhe frymëzuese’/ Regjisori amerikan vlerëson lart protestën e mbrojtësve të Teatrit Kombëtar

E mërkurë, 07 August 2019 20:47

Është ora 1 pasmesnate kur oborrit të Teatrit Kombëtar i afrohen dy silueta. Të gjithë ata që bëjnë rojën e natës janë mësuar ta njohin njëri-tjetrin nga siluetat, pasi qeveria në shenjë ‘dënimi’ për qëndresën ka prerë dritat dhe ujin për godinat e teatrove. Megjithatë, dritat e ‘smartphon’-eve drejtohen nga ata që po vijnë. I pari shquhet Neritan Liçaj dhe bashkë me të, një burrë që vërehet se është i huaj. Liçaj e prezanton si regjisorin që vite më parë vuri në skenën e TK-së pjesën e Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere”. John Blondel është profesor arti në një kolegj në Kaliforni dhe e ka njohur teatrin nga brenda si regjisor.

Është krejt rastësisht në Shqipëri dhe po aq rastësisht ka takuar Neritan Liçajn, me të cilin ka punuar dhe ka nisur të mësojë atë që njihet si “çështja e teatrit”. Ai pyet me interes si nisi kjo histori, kur e kanë marrë artistët godinën, çfarë ndodhi ditën e 24 korrikut, pse pati përplasje me policinë, çfarë ka thënë gjykata për çështjen (Ah nuk paska gjykatë, pse)? Pasi ka marrë gjithë informacionin e asaj që ka ndodhur në 18 muaj, thotë vetëm se kjo qëndresë është frymëzuese. Pyet për profesionet e atyre që janë në shesh, si janë bashkuar, (ah jeni njohur këtu), sa orë rrihet në oborr, (po pse brenda nuk rrini?), pse janë fikur dritat, kush janë ata që japin shfaqje, (ah me gjenerator vihen shfaqjet!).

Pyetjet e tij janë pyetjet e një njeriu që i ardhur nga një kontinent tjetër, ku nëse shumë gjëra ngecin, janë gjykatat që funksionojnë, shpesh duken krejt naive, sepse e gjithë historia e teatrit në fakt, për qytetarë të shteteve që bazohen në sisteme vlerash dhe në ligje e institucione është krejt absurde.

Duhet te japë mendimin e tij mbi gjithë situatën, nisur nga përvoja e kahershme si regjisor i teatrit. “Kam punuar gjatë atëherë këtu dhe kam pasur një lidhje të gjatë dhe të fortë me teatrin. Ishte viti 2012 dhe 2013 kur unë erdha dhe vura në skenë ‘Ëndrrën e një nate vere’ dhe pastaj ndërhyra që Shqipëria të merrte pjesë në Festivalin e ‘Globe Theatre’, ku u ftua edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë me pjesën ‘Henri VI’. Pas kësaj, në vitin 2013 unë vura në skenë ‘Ëndrrën e një nate vere’ dhe pata një përvojë të jashtëzakonshme. Aktorë të mrekullueshëm, një shfaqje e fortë”, thotë John Blondel. “Përvoja ime – shton ai duke i thirrur kujtesës, – duke punuar nga brenda në këtë ndërtesë, ishte e mrekullueshme. Gjithnjë kam menduar se kjo hapësirë e veçantë është ne fakt një hapësirë unike. Sigurisht që kishte nevojë për rregullime, për rikonstruksion, por struktura e godinës dhe mënyra se si audienca ishte në marrëdhënie me skenën dhe aktorët; mënyra se si aktorët viheshin në skenë, fuqia e aktorëve në skenë dhe në marrëdhënie me audiencën ishte unike dhe e veçantë. Gjatë punës në skenë me aktorët, kam ndjerë një lloj të prezence të fuqishme, që ishte më e rëndësishme se skena apo se skenografia. Pra, është shumë më e rëndësishme lidhja mes aktorëve e audiencës”.

I pyetur se si e sheh protestën 18-mujore, ai thotë se historia e protestës është një histori unike për të cilën ka respekt. “Në përvojën time, është diçka e rrallë kjo që ndodh këtu dhe unë nuk e dija çfarë po ndodhte deri 2 ditë më parë. Këto orë kam mësuar me shumë informacion për mbrojtjen e teatrit; natyra e kësaj historie, detajet e kësaj historie, janë vërtetë unike. Kjo qëndresë – është zemra dhe shpirti i asaj për të cilën është teatri, ose arsyeja pse bëhet teatër: është një hapësirë, një hapësirë publike, është si një agorë, në mes të qytetit, dhe parë nga dimensionet e teatrit, ka më shumë sens. Është në qendër të qytetit, qyteti është i përfshirë dhe bëhet pjesë e një prezantimi publik të historive që janë të nevojshme për kulturën. Është gjithnjë kjo arsyeja pse bëhet teatër”.

Regjisori amerikan nënkupton me këtë, arsyen pse bëhet teatër, “sepse zgjon mendime, kritikon pushtetet, nxit mendimin kritik”, – në fakt këto janë frazat klishe që përdoren shpesh nga artistët tanë, para apo pas premierave. Por kur parasysh ke protestuesit që janë bërë gardianë të teatrit, sheh të mishëruara gjithë ç’thuhet rëndom si ligjërim intervistash. Veçse zgjimi i mendimit kritik, kërkesa për llogaridhënie ndaj pushtetit nuk janë më fjalë të hedhura në eter, para mikrofonash dhe kamerash në para apo paspremiera të financuara nga buxheti i shtetit – por janë mishëruar në aksion. Ligjërimi ia ka lënë vendin aktit, veçse nuk janë ligjëruesit e kahershëm që ‘veprojnë’.

Për Blondel, “këto janë përvoja jetësore dhe përvojat jetësore janë pjesë të proceseve kulturore. Ajo që po ndodh këtu, me aktorë të përfshirë në akte publike, është forcë dhe është diçka e re për mua. Unë nuk kam dëgjuar kurrë për diçka të ngjashme si kjo; me këtë lloj përfshirjeje, që zgjat kaq shumë, me këtë lloj qëndrese”.

I pyetur se cili është mesazhi i tij, nga faqja e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, thotë se “mesazhi im është që ky vend është një fole e idealizmit, këto janë veprime njerëzish me pasione dhe idealizma. Të jem këtu sonte dhe të jem pjesë e kësaj është moment shumë frymëzuese për mua. Është unike dhe e fuqishme. Këto lloj hapësirash publike, apo hapësirash kombëtare janë të nevojshme, për një shoqëri të shëndetshme kulturore dhe politike”. /GazetaShqiptare/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...