Shkrimtarët botërorë flasin për veprat e tyre

Tuesday, 24 September 2019 08:52

Disa vepra ua kalojnë autorëve të tyre. I lexojmë, mendojmë e diskutojmë për to në katedra, internet, ndërmjet vete dhe kështu nxjerrim një përfundim të përgjithshëm kulturor se çfarë përfaqësojnë ato vepra. Por sekreti i vogël është se krejt flasim e stisim përfundime.

Ka vetëm një autoritet të vërtetë që ka vënë dorën mbi një tekst të caktuar, madje edhe ai person nuk është domosdoshmërisht autoritet (teoricienët e letërsisë dhe lexuesit përgjithësisht kanë mendime të ndryshme në këtë pikë).

Por, megjithatë, sa më shumë që mësoni për novelat që formojnë themelin e kulturës sonë letrare aq më mirë. Për të dal aty ku dua, kam gërmuar nga pak gjithandej që ta marr vesh çfarë në të vërtetë mendojnë autorët e novelave të shumëpërfolura për kryeveprat e veta, transmeton KultPlus.

Në vijim, mund të lexoni se çfarë mendojnë shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore, rreth veprave të tyre:

Haruki Murakami për “Pyllin norvegjez”

“‘Pylli norvegjez’, sikurse thatë, është e vetmja (prej novelave të mia) shkruar në stilin realist. Afërmendsh se kështu e kam shkruar qëllimshëm. Doja t’ia vërtetoja vetes se mund ta shkruaja një novelë njëqind për qind realiste.

Mendoj se ky eksperiment u vërtetua më vonë si i dobishëm. Fitova vetëbesimin se do të mund të shkruaja kështu, përndryshe do të ishte goxha vështirë ta përfundoja krijimtarinë pasuese. Për mua, të shkruaj novelë është si të ëndërroj. Të shkruarit e novelës ma lejon qëllimshëm të ëndërroj derisa jam ende zgjuar.

Sot mund ta vazhdoj ëndrrën e djeshme, diçka që normalisht nuk mund ta përjetoni në jetën e përditshme. Është edhe mundësi për t’u lëshuar thellë në ndërgjegjen time. Pra, derisa e shoh si ëndërr, nuk është fantazi. Për mua, ngjasimi me ëndërrimin është shumë i vërtetë.

Murakami për “Kafka në breg”

“Ka disa gjëegjëza, por nuk ofrohet asnjë zgjidhje. Në vend të kësaj, shumë prej këtyre gjëegjëzave kombinohen dhe nëpërmjet ndërveprimit, formësohet mundësia për zgjidhje. Forma që merr kjo zgjidhjeje do të jetë e ndryshme për gjithsecilin lexues. Thënë ndryshe, funksionojnë si pjesë e zgjidhjes. Është e vështirë të shpjegohet, por ky ishte lloji i novelës që jam munduar ta shkruaj”.

Toni Morrison për “Dashurinë”

“Nuk ka vend ku mund të shkojmë, të mendojmë ose të mos mendojmë për të, kështu dua ta përmbledh praninë ose mungesën e skllevërve; kurrgjë që na e kujton ata që bënë udhëtimin ose ata që nuk ia dolën dot. Nuk ka asnjë memorial ose pllakë të duhur, ose mur, park ose sallon rrokaqielli për t’i kujtuar.

Nuk ka asnjë rrokaqiell treqind pashësh të lartë për ta. Nuk ka asnjë stol të vogël rrugës. Nuk ka as edhe një shenjë të vetme, një shenjë që unë ose ju mund ta vizitojmë në Charlestone, ose Savannah, në New York ose Providence, ose edhe më mirë, në brigjet e Mississippit. Dhe meqë nuk ekziston një vend i tillë (me aq sa di unë), këtë punë duhej ta merrte përsipër vepra. Por këtë nuk e dija para ose gjatë kohës sa po e shkruaja.

Vetëm tani mund ta shoh çfarë po bëja në faqen e fundit. Po ia vija pikën tregimit, duke ndryshuar figurativisht gjakimin me të cilin nis vepra. Po, pikërisht atë po e bëja, por edhe po bëja diçka më shumë. Ma merr mendja se e kërkoja atë mur apo atë stol, ose atë rrokaqiell apo atë dru kur shkrova fjalët e fundit”.

David Foster Wallace për “Infinite Jest”

“Doja të shkruaja diçka pikëlluese. Kisha shkruar diçka për qejfi dhe diçka serioze, intelektuale, por kurrë nuk kisha shkruar diçka që ta këputë shpirtin. Dhe nuk doja që të kishte vetëm një karakter. Banaliteti tjetër do të ishte: Doja të bëja diçka përnjëmend amerikançe, se si është të jetosh në Amerikë në kohën ndërrimit të mileniumit…

Është një vepër e çuditshme. Nuk shtjellohet si veprat normale. Ka një mal karakteresh. Mendoj se ka qenë një përpjekje qëllimmirë që të jetë atraktive dhe të të marrë me vete faqe pas faqes, kështu që nuk kam ndjenjën sikur po e qëlloj lexuesin me çekiç, e dini: ‘Hej, s’ta rrokë truri sa mendtë janë shkrirë në të. Shkëdhehuni. Ta shoh, a mund ta lexoni’. E di se ka vepra të tilla dhe po ju them se përnjëmend ma shpifin”.

Ralph Ellison për “Invisible Man”

“Sa për novelën time, po ju them se ende po merrem me të. Po thuhen fjalë të mira për të dhe botuesi ka pritje të mëdha, por unë po përpiqem ta marr shtruar me stomakun që po më zien dhe me ëndrrën time të madhe që nuk më lë rehat. Vazhdoj të ëndërroj Tuskegeen dhe shkollën e mesme, krejt ato skena testesh dhe gjykimesh. Do të çlirohem kur krejt kjo të marrë fund.

Prologu ka nxitur komente, por nuk mendoj se Rahv (botuesi i atëhershëm i ‘Partisan Review’) ka ndarë mendjen çfarë mendon për librin si tërësi. Ai e di se nuk është fjala për Kafkën sikurse të tjerët besojnë gabimisht. U them atyre, ia kam thënë në fakt edhe Langston Hughesit, është si puna e bluesit, por duket se askush nuk e kupton për çka e kam fjalën”.

Kazuo Ishiguro për “Mbetjet e ditës”

“Gjithçka nisi me një shaka që e lëshoi gruaja ime. Do të vinte një gazetar që të më intervistonte për novelën time të parë. Dhe gruaja ime tha, ‘a nuk do të ishte e lezetshme nëse ky person vjen t’ju shtrojë këto pyetje serioze për novelën tënde dhe ti të pretendoje se je kasapi im?’ Mua m’u duk ide mahnitëse. Dhe prej atij çasti nuk më është ndarë nga mendja kasapi si metaforë.

Jeeves pati ndikim të madh. Jo vetëm Jeeves, por krejt figurat e kasapit që ishin pjesë e sfondit të filmave. Ishin vërtet mahnitëse. Nuk kishte humor të drejtpërdrejtë. Rrezatonin fuqishëm me mënyrën se si faqeshin lehtas për diçka që normalisht do të kërkonte shprehje më egërshane. Dhe Jeeves është model në këtë punë.

Atëherë po mundohesha të shkruaja ndërgjegjshëm për audiencë ndërkombëtare. Ishte një reagim, mendoj, kundër botëkuptimit të ngushtë në fiksionin britanik të brezit pararendës. Kur kthej kokën pas, nuk e di nëse ishte gjykim i drejtë apo jo. Por ndieja se ne bashkëkohanikët duhej t’i adresoheshim një audience ndërkombëtare e jo vetëm asaj britanike. Dhe mendoja se një prej mënyrave për ta bërë këtë ishte ta merrja një mit të Anglisë që ishte i njohur botërisht – në këtë rast, një kasap anglez”.

Margaret Atwood për “Rrëfenja e shërbëtores”

“A është ‘Rrëfenja e shërbëtores’ novelë ‘feministe’? Nëse e keni fjalën për një traktat ideologjik në të cilin të gjitha gratë janë engjëj dhe/ose aq të viktimizuara saqë nuk u mbetet kurrfarë zgjidhjeje morale, atëherë jo.

Nëse e keni fjalën për një novelë në të cilën të gjitha gratë janë qenie njerëzore – me turlifar karakteri dhe sjellje që përkon me to – dhe që gjithashtu janë interesante dhe të rëndësishme, dhe se çfarë ndodh me to është qenësore për temën, strukturën dhe fabulën e veprës, atëherë po. Në këtë sens, shumë libra janë ‘feministe’.

A është ‘Rrëfenja e shërbëtores’ antireligjion? Përsëri, varet se për çka e keni fjalën kur mendoni kështu. Po, topi s’e luan se një grup burrash autoritarë marrin kontrollin dhe përpiqen të rivënë një version të skajshëm patriarkati, ku grave (si skllevërve amerikanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë) u ndalohet të lexojnë.

Për më tepër, ato nuk mund të kenë kuletë ose të punojnë jashtë shtëpisë, ndryshe prej disa grave në Bibël. Regjimi përdor simbolet biblike, sikur do të vepronte pas asnjë dyshim çdo regjim që merr kontrollin e Amerikës: Nuk do të ishin komunistë ose myslimanë”.

James Baldwin on “Giovanni’s Room”

“Ma merr mendja se përgjigjja e vetme e ndershme është se ‘Giovanni’s Room’ erdhi si diçka me të cilën duhej të përballesha. Nuk e di saktë se kur erdhi si frymëzim, megjithëse shpërtheu prej asaj çfarë më vonë doli të ishte ‘Another Country’. Giovanni ishte në një ndejë dhe rrugës për në gijotinë. Ai mori krejt nurin në vepër, pastaj vepra pushoi dhe askush në libër nuk po më fliste asnjë fjalë të vetme.

Mendova se do të duhej ta përmbyllja rrëfimin e Giovannit në një tregim të shkurtër, por pastaj rrodhi lumë ‘Giovanni’s Room’. Pa dyshim se me gjasë nuk do të mund të mbaja mbi shpatulla – jo në atë moment të jetës time – barrën e një tjetër peshe të rëndë, ‘Negro problem’. Ana morale-seksuale ishte diçka me të cilën ishte e vështirë të merreshe. Nuk mund t’i trajtoja të dyja në të njëjtën vepër. Nuk kishte hapësirë të mjaftueshme. Mund ta bëja ndryshe sot, por atëherë të kishte prani zezake në vepër në atë moment dhe në Paris, do të ishte larg përtej fuqive të mia…

I kam shkruar katër novela para se ta botoja të parën, para se të largohesha nga Amerika. Nuk e di çfarë ndodhi me to. Kur mora rrugë këndej, i lashë në një çantë kampimi, të cilën e humba, dhe kështu ndodhi. Por bërthama e ‘Giovanni’s Room’ është në Amerikë. Davidi ishte personi i parë për të cilin mendova, por kjo ndodhi për shkak të djaloshit të privilegjuar me emrin Lucien Carr, i cili vrau dikë. Ishte i njohur për shumë njerëz që i njihja – nuk e njihja personalisht.

Por u mahnita prej procesit gjyqësor, që përfshinte edhe një maço të kamur dhe gruan e tij të shoqërisë së lartë. Prej kësaj mahnitjeje, erdhi edhe versioni i parë i ‘Giovanni’s Room’, diçka që quhej ‘Ushtri injorante’, një novelë që kurrë nuk e përfundova. Eshtrat e ‘Giovanni’s Room’ dhe ‘Another Country’ ishin në të”.

Philip Roth për “Ankimi i Portnoit”

“Një vepër e hershme, e shkruar me frymëzim të madh, lumturi dhe si çlirim shpirtëror. Pa e kuptuar, kisha telashe me fabulën – frymën e mosndëshkimit. Mosndëshkimin si trazim njerëzor. Dhe derisa e rilexoj ‘Ankimin e Portnoit’ në faqe tetëdhjetë, tronditem dhe lumturohem – tronditem për shkak se jam treguar aq i shkujdesshëm, i kënaqur sepse është dashur të tregohesha i shkujdesshëm”.

Ursula K. Le Guin për “The Left Hand of Darkness”

“Vendosja e veprës në një botë pa gjini ishte qasja ime injorante ndaj feminizmit. Dija mjaftueshëm sa ta kuptoja se vetë gjinia po vihej në dyshim. Ende nuk e kishim gjuhën e duhur për të thënë se gjinia është konstruksion shoqëror sikurse e kemi tkurrur tani. Po gjinia çfarë është? A duhet të jetë femërore, a duhet të jetë mashkullore? Gjinia është hedhur në arenën ku fantashkenca zhbiron tema interesante për t’i rishikuar dhe rivënë në dyshim.

Mendova mirë e mirë. Paj, mirë, askush nuk e ka bërë këtë. Aktualisht, çfarë nuk e dija është se para meje, Theodore Sturgeon kishte shkruar një vepër të titulluar ‘Venus Plus X’. Ia vlen të lexohet, diçka e rrallë, një qasje e hershme mashkullore që konsideron gjininë si – së paku pjesërisht – konstrukt shoqëror.

Sturgeon ishte shkrimtar i talentuar, dashamir, andaj është interesante në vetvete edhe vepra e tij. Sa i përket aspektit stilistik, nuk ishte shkrimtar i madh, por ishte vërtet një rrëfimtar i rryer dhe një njeri mendjendritur. Por, afërmendsh, shkoi në drejtim tjetër. Ju mund të thoni se po pyesja veten se çfarë do të thotë të jesh grua ose mashkull ose femër?”

Helen DeWitt për “Last Samurain”

“Diku në kohën e ‘Samurait’ kisha një përplasje goxha të sertë me babanë tim. Kështu që mendova se ‘nuk duhet t’ua vëmë veshin prindërve’. Nëse ua vëmë veshin, do të bëja diçka më të mirë se kjo. Dhe pastaj më erdhi ideja për një libër ose, sidoqoftë, një pyetje: çfarë është e domosdoshme si përzgjedhje?

Mendoj se veprat interesante shtjellojnë paradigma të reja. Së pari, mendojeni paradigmën – mund të jetë: si e sheh botën një shahist? Si e sheh botën një ekspert statistikash? Pastaj merreni me formën që do ta funskionalizojë këtë punë. Por ai lloj libri merr kohë që të hidhet në letër. Nuk është vetëm çështja e shkrimit të mijëra fjalëve në ditë”.

Vladimir Nabokov për “Lolitën”

“Kurrë nuk i bie pishman për ‘Lolitën’. Ajo ishte si kompozimi i një enigme të bukur – kompozimi dhe shtjellimi i saj njëherësh, meqë njëra është pasqyrë e tjetrës, varet se si e shihni. Afërmendsh, ajo eklipsoi krejtësisht veprat e mia të tjera – së paku një që e shkrova anglisht: ‘The Real Life of Sebastian Knight, Bend Sinister’, tregimet e mia të shkurtra, librin tim të koleksioneve, por nuk mund t’ia gjuaj krejt fajin asaj për këtë punë. Ka njëfarë joshje të padukshme mitike e sensuale që e reflekton kjo vajzë”.

Jonathan Franzen për “Liria” dhe “The Corrections”

“Unë, në fakt, jam i interesuar për një vetëmashtrim. Fiksioni realist presupozon se autori e ka në dorë të vërtetën. Kjo ia jep autorit njëfarë epërsie ndaj karaktereve të tij që i nxjerr paksa komike. ‘The Corrections’ ishte shkruar si komedi, si njëfarë komedie zemërimi, andaj ky model i vetëmashtrimit shkonte në mënyrë të përsosur. Është diçka argëtuese, dhe shkrimtari ia mvesh në mënyrë agresive njëfarë njohurie të dhimbshme një karakteri pasi të njëjtën e ka bërë edhe me tjetrin…

Në ‘Liria’, metafora e përsëritur është jermia. Ju nuk keni vetëdijen – ju thjesht ecni përgjumshëm, nuk keni vëmendje ndaj asgjëje, jeni në njëfarë gjendje ëndërrimi. ‘The Corrections’ merrej me botën vetëmashtruese joreale, megjithëse vullnetshëm, i krijojmë që të jetojmë në to. Ju e dini se magjepsja ka njëfarë konotacioni pozitiv, por edhe në përralla, zakonisht nuk është diçka e dobishme. Kur rrëmbeheni nga mahnitja, nuk keni ide për botën reale.

Dhe shkrimtari realist mund të luajë rol të dobishëm dhe argëtues duke shkelur dhunshëm këtë rend të gjërave. Por diçka për pozitën e kësaj, që shkrimtarin e shndërron në pronar të së vërtetës, ka qenë ajo që më ka vënë në siklet. Kam nisur të interesohem më shumë për karaktere ëndërrimtare, dhe botën e tyre ta përjetoj me ta, dhe më pak i interesuar në vetë faktin se bëhet fjalë vetëm për ëndrra”./RevistaAkademia/

Login to post comments