Harold Bloom: Letërsia është dashuri

Diel, 20 October 2019 10:39

Kujtimi im i parë dhe i paharrueshëm me Profesorin dhe kritikun më të madh letrar të kohës sonë, Harold Bloom (1930 – 2019), e shpie kujtesën time dhjetë vite prapa, më saktë, në kohën e fillimit të studimeve të mia Master për letërsi angleze, kur unë sapo i kisha përfunduar së lexuari veprat e tij të rëndësishme “Ankthi i Ndikimit”, “Kanoni Perëndimor”, “Shekspiri: Shpikja e Njerëzores”, “Si të lexojmë dhe përse?”.

Zbulimi i veprës së tij qe për mua si një burim uji në të cilin shuaja etjen time në tokën e shkretë të kritikës letrare të asaj kohe në universitetet tona, si dhe epidemisë gjithnjë e në rritje nga ana e mjediseve akademike me teoritë e tyre “inovative” dhe termat e zbraztë e klishetë e tilla si “Marksizmi”, “multi-kulturalizmi”, “seksualiteti dhe studimet gjinore”, “kritika ekologjike”, etj.

I lumtur që gjeta shpëtim nga ky moçal akademik në të cilin rrezikoja të fundosesha, vendosa t’i shkruaja administratës së Universitetit Yale në SHBA, në mund ta kishin mirësinë të ma siguronin email-in personal të Profesorit Bloom, për një letër falënderimi.

Administrata ma dërgoi emailin e Profesorit me shumë kënaqësi.

I shkrova Profesorit në çast: duke u prezantuar, e falënderova përzemërsisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e kritikës letrare si dhe për faktin se do të mbetet frymëzimi im kryesor që unë të ndjek rrugën e letërsisë.

Preokupimi im ishte ky që është dhe tani se, letërsia sot dhe arti në përgjithësi, sipas mendimit tim, nuk shërben më si një aktivitet shpirtëror i individit, porse është shndërruar në një simptomë të neurozës dhe shizofrenisë së njerëzimit.

Ndaj, vështirë të mund t’i besojmë gjuhës së shkrimtarit të sotëm, sepse artisti modern është i aftë të shprehë vetëm efekte të ndryshme, por jo mendime të forta. Këtë dehumanizim të artit e përkufizova si një fragmentarizim tragjik të njerëzimit, duke i thënë Profesorit se, mbase kemi hyrë në epokën kur paraqitja e botës e ka zëvendësuar botën reale.

Në universitetin e sotëm, letërsia është reduktuar në një zhargon teknik që e aftëson studiuesin e letërsisë të llomotisë për gjëra të padobishme, duke bërë, pra, që studiuesit dhe profesorët tanë të interpretojnë çdo gjë në bazë të aparaturës egoiste që zotërojnë. Dhe se letërsia ka pushuar të jetë një mënyrë dhe formë jete për studentin e letërsisë.

Profesori Bloom ma ktheu përgjigjen sakaq: më falënderoi për letrën plot mirësjellje, duke shprehur dhe mirënjohjen e tij të thellë që vepra e tij kishte shërbyer si motivim që unë të ndjek rrugën e studimit të letërsisë.

Theksoi gjithashtu se “kultura” e sotme universitare me termat e tyre klanore rrezikon qëllimin esencial të letërsisë. Letërsia është dashuri, prandaj secili prej nesh ka nevojë ta dëgjojë brenda vetes zërin e engjëllit duke na pëshpëritur: “Dashuro!”.

Ndërkaq studiuesi, thoshte Profesori, duke cituar poetin e madh Wallace Stevens, duhet të jetë “qiriu që do të ndizet përherë nga dashuria dhe dëshirat e njerëzimit.”

Shpesh, mbase krejt pa qëllim, ne lexojmë në kërkim të një mendjeje më origjinale se e jona. Njeriu është më shumë se ideologji, sipas fjalëve të Profesorit Bloom, ndaj ne duhet të lexojmë, jo për të besuar ose për të pranuar, por për t’u njëjtësuar me atë natyrë unike që shkruan dhe lexon.

I shkrova dhe një herë tjetër (një vit më vonë), sepse dëshiroja të dija mendimin e tij mbi një fragment të rëndësishëm te “Tregtari i Venedikut” të Shekspirit, më saktë për fragmentin në të cilin Shekspiri, përmes fjalëve të Portia-s (Akti IV, Skena I), me një retorikë pothuajse hyjnore, e vendosë kategorinë e mëshirës mbi atë të drejtësisë.

Profesori Bloom ma ktheu përsëri përgjigjen: më sugjeroi që “duhet patur kujdes nga çdo fjalë a rresht i Shekspirit, madje edhe te fragmenti që mua më kishte lënë aq përshtypje”, sepse, siç u përgjigj Profesori: “Çestertoni na këshillon se ironia te Çoseri dhe Shekspiri është shumë më e madhe nga ç’mund të na shohin sytë tanë”.

Profesori Harold Bloom ka pasur një dije universale: në zonën e vet të sundimit, në letërsi, ai ka qenë në gjendje të shkruajë e të flasë për secilin autor të letërsisë kanonike botërore: prej Homerit gjer tek autorët e letërsisë bashkëkohore. Por, në veçanti ai do të njihet si dishepulli më i madh i Shekspirit.

Për të, Shekspiri ishte fillimi dhe mbarimi i gjithë dijes njerëzore dhe në intervista të ndryshme thoshte se të vetmin shkrimtar që do të dëshironte ta takonte në ndonjë jetë tjetër ishte mësuesi i tij i përjetshëm, Shekspiri.

Ky ishte “Testamenti” i Profesorit.

Dhe mbase ashtu sikurse Shekspiri i fjalimit të madhërishëm të Borges-it, edhe Profesori Harold Bloom në çastin e ndarjes nga jeta është gjendur më në fund para Zotit dhe e ka pyetur: Unë, që gjithë jetën time kam qenë kaq shumë njerëz, mendje të ndritura, personazhe, por në të njëjtën kohë- asgjë, dua të jem më në fund një: vetja ime.

Dhe zëri i Zotit do të jehojë nga vorbulla e erës: “As Unë nuk jam vetëm unë; e kam ëndërruar botën siç e keni ëndërruar dhe ju veprën tuaj, të dashurit e mi, dhe në mesin e trajtave të ëndrrës sime, jeni ju, që njëjtë si Unë, jeni asgjë – dhe gjithçka”.  

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...