Shuhet një tjetër ikonë e kinematografisë shqiptare. Aktorja e njohur Mira Minga Jupi ka ndërruar sot jetë në SHBA, atje ku jetonte prej 19 vitesh. Lajmin e trishtë e ka dhënë mikesha e saj Shegushe Bebeti, përmes një postimi në “Facebook”. Bebeti teksa prek me fjalët kushtuar mikes së saj, thekson se nuk do të mundet t’i japin lamtumirën e fundit.
“Oh sa dhimbje…oh sa lot…nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj…sapo më erdhi lajmi nga Amerika, është ndarë nga jeta mikja ime e shtrenjtë Mira Minga Jupi, aktorja e mrekullueshme e Teatrit të Kukullave gruaja ideale, nëna e jashtëzakonshme që do t’i mungojë aq shumë familjes. Mira e talentuar, aq bujare, aq punëtore e zemërbardhë, u largua në Amerikë para 19 vitesh e sot largohet nga jeta, e ne nuk kemi mundësi t’i japim lamtumirën e fundit…qofsh e parajsës mikja ime e mirë e dheun e huaj e paç të lehtë. Do të më mungosh aq shumë e kafenë nuk do ta pimë më bashkë nëpërmjet Skype, do të kujtoj gjithmonë me shumë dashuri e dhimbje. Ngushëllime familjes e miqve që të deshën aq shumë”, shkruan Bebeti.
Kujtojmë se Mira Minga Jupi mbahet mënd për rolin e saj në filmin “Përrallë nga e kaluara”, me emrin Kote.