Është përkujtuar sot 1-vjetori i ndarjes nga jeta të kantautorit të mirënjohur shqiptar, Françesk Radi. Në nder të konstributit të dhënë në kulturën shqiptare busti i tij është vendosur pranë kodrave të Liqenit Artificial. Në ceremoni morën pjesë, miq të afërm dhe dashamirës të muzikës së tij.
Bashkëshortja e kantautorit, Tefta Radi, tha se “Për mua, për familjen, për të gjithë adhuruesit e Frankos është një kënaqësi e madhe që e lemë mes njerëzve. Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risinë në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada, iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën, sepse edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, Frankoja punoi me të njëjtin pasion.”
Familjarët mbollën edhe disa pemë pranë bustit, në nderim të figurës së kantautorit, i cili njihet ndryshe edhe si këngëtari i liqenit.