Me para’ mund të blesh gjithçka, por jo të ardhmen dhe moralin, apo të shpëtosh nga ndërgjegjja.
Ky është morali i një historie rëndom shqiptare që ka në qendër komedia groteske “Trashëgimtari”, me regji nga Milto Kutali dhe autor Arben Iliazin.
Vlera e familjes, politika apo ambicia pa kufij për pushtet e para’, përfaqëson individin instinktiv të zhveshur nga ndjeshmëria.
Premiera e “Trashëgimtarit” vjen prej së martës në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Regjisori Milto Kutali shprehet: “Kjo vepër më bën që të jem edhe unë pjesë e gjeneratës së re, falë penës së Arben Iliazit dhe falë përkushtimit tonë. Unë mendoj se do të ketë rrugëtim të gjatë, pasi është një performancë shumë e këndshme, atraktive dhe me vlera të qenësishme edukuese”.
Kjo shfaqje ka në përbërje të saj studentë të rinj, të cilët provojnë veten në takimin me publikun.
Aktorja Dajan Nenaj thotë: “Unë vishem me petkun e personazhit Suzi, që është gruaja e martuar me politikanin e famshëm shqiptar. Është një grua postmoderne, e cila vjen me mesazhe shumë të forta”.
Dhe në fund, gjithmonë fitorja i takon një gruaje, që nxjerr fytyrat e vërteta të burrave që e rrethojnë. Një bashkëpunim i konspiracionit, hakmarrjes dhe aventurës vjen në skenë për të ironizuar realitetin me të cilin shpesh ndeshen familjet shqiptare.