-Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev nuk ndalet së paralajmëruari afate për bisedën telefonike me homologun e tij grek, Aleksis Cipras për çështjen e emrit. Pasi dështoi biseda e paralajmëruar nga Zaev për të mërkurën, të enjten ose të premten e javës së kaluar, këtë herë pa precizuar saktë, Zaev thotë se është çështje ditësh kur biseda telefonike do t’i jep fund kontestit shumëvjeçar. Megjithatë jozyrtarisht, përflitet se SHBA-të i kanë kërkuar Zaevit që deri më 9 qershor të japë pëlqim për tekstin e marrëveshjes.
“Unë besoj se me të vërtetë jemi në vetë fundin. Do të mbetem i kujdesshëm, në mënyrë që fundi të jetë i suksesshëm, fund i lumtur. Nuk do të komentoja detaje, nga arsyeja e thjeshtë që akoma po krijohen rrethanat që të ndodh biseda telefonike. Unë besoj se janë në pyetje ditë që të ndodh biseda telefonike dhe sapo ajo të ndodhë ashtu si dhe për përmbajtjen e saj do t’i informoj qytetarët. Këto ditë dua të jenë ditë të përfundimit të suksesshëm të procesit’– deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Zaev as nuk i konfirmoi e as nuk i demantoi informatat rreth propozimeve në tavolinën e negociatave. Ndërkohë Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias tha se është koha për fjalët përfundimtare, duke theksuar se negociatorët duhet të kenë durim dhe vetëpërmbajtje e të mos ndikohen nga mediat dhe opozita për lojëra të brendshme politike.