Në mungesë të propozimit të tre emrave nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, javën e kaluar - Kuvendi i Kryeqytetit dështoi të përmbushte njërën nga pikat e rendit të ditës.
Mos-prezenca e tij në sallë pamundësoi zgjedhjen e 7 anëtarëve të Komisionit Vlerësues të Ofertave për Dhënien e Pronës së Paluajtshme të Komunës në Shfrytëzim.
Kjo edhe përkundër insistimit të PSD-së që të bëhej votim i pjesshëm pasi, sipas tyre, tre anëtarët tjerë emërohen nga kryetari pa pasur nevojë të votohen në Kuvend.
Në fund, Zyra Ligjore vendosi që votimi të mos ndodhte pa propozimet e kryetarit, të cilat duhet të votohen bashkë me 4 emrat tjerë.
Mos-sjellja e emrave nga kryetari u kritikua nga partitë opozitare dhe Vetëvendosja.
Por, Ahmeti thotë se ka ndodhur një keqkuptim nga ai lidhur me këtë pikë.
Madje, në ish-partinë e tij mos-prezencën e Ahmetit në raste të tilla e quajnë bllokadë.
Por, Ahmeti thotë se nuk ka bllokuar asgjë dhe se puna e tij është e ndarë nga Kuvendi.
Ahmeti është kritikuar edhe për mungesën e tij në seancën solemne në shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Partitë opozitare dhe Vetëvendosja e kanë kritikuar Shpend Ahmetin se ka marrë pjesë vetëm në njërën nga pesë seancat e rregullta të kuvendit këtë vit.