Policia e Kosovës ka nisur një operacion të gjerë pasditen e së mërkurës në Prishtinë pas informatave se disa persona të huaj të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje janë fshehur në kryeqytet.
Sipas mediave në Kosovë, operacioni është duke vazhduar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa raportohet për disa të arrestuar.
Disa persona kanë përfunduar në pranga në lagjen “Kalabria”, ndërsa sipas policisë, operacioni ka për qëllim identifikimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për vrasje, e që janë shtetas të huaj në kërkim ndërkombëtar nga Interpol.
“Policia e Kosovës është duke realizuar një operacion policor në Prishtinë, i cili operacion ka për qëllim identifikimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për vrasje, e që janë shtetas të huaj në kërkim ndërkombëtar”, ka deklaruar zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha.