Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Matthew Palmer, tha të mërkurën në Shkup se refrendumi për marrëveshjen mbi emrin e Maqedonisë, është një moment historik për vendin.
Zoti Palmer ndodhet për vizitë në Shkup, ku po takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë, për të shprehur mbështetjen e shteteve të Bashkuara për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe për afrimin e mëtutjeshëm të saj drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Zoti Palmer u prit nga presidenti Gjorge Ivanov, ndërsa zhvilloi takime edhe me kryetarin e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, me atë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev. Vizita e tij ndodhë në një kohë kur autoritetet qeveritare maqedonase po përpiqen të bindin qytetarët për pjesëmarrje në referendumin e 30 shtatorit ku duhet të zyrtarizohet ndryshimi i emrit të vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, për çka kërkohet edhe mbështetja e opozitës maqedonase.
Zyrtari i lartë amerikan u tha gazetarëve se referendumi më 30 shtator qartazi do të jetë një datë e rëndësishme, “që do t’i japë publikut maqedonas mundësinë për të paraqitur pikëpamjet e tij për marrëveshjen”.
“Shpresojmë që njerëzit do të dalin të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre dhe këtë ta bëjnë në një atmosferë të lirë nga dezinformimi apo shkurajimi. Ky është me të vërtetë një moment historik për Maqedoninë dhe për Marrëveshjen e Prespës dhe sapo të ratifikohet dhe zbatohet do të hapen dyert drejt së ardhmes evropiane për Maqedoninë dhe popullin e saj”, u shpreh zoti Palmer.
I pyetur për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesi i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA e mbështesin procesin e bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht ndërmjet presidentëve (Aleksandër) Vuçiç dhe Hashim Thaçi.
“Nuk varet nga ne që të përcaktojmë shtrirjen e këtyre negociatave. Ne jemi duke punuar me të gjitha palët e përfshira për të theksuar mbështetjen tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi ai.
Ndërkohë, Presidenti maqedonas Ivanov është shprehur se vendi i tij i ka plotësuar kushtet që nga viti 2008 për anëtarësim në NATO, duke kontribuar në misionet e Aleancës dhe se e meriton anëtarësimin pa kushte shtesë. Në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, presidenti Ivanov, sipas një komunikate nga kabineti i tij, ka theksuar se nuk pranon një marrëveshje “e cila e shkelë kushtetutën dhe rrënon institucionet shtetërore dhe që shkon në dëm të interesave kombëtare maqedonase”.
Mathew Palmer të enjten do të marrë pjesë në kremtimin e festës së Ilindenit në qytezën e Krushevës, ndërkohë që do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë vendorë.