Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten në një intervistë për Zërin e Amerikës, se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën.
Ai tha se ideja e tij nuk nënkupton as shkëmbim territoresh, ndërsa “korrigjimi i kufijve nuk paraqet ndonjë efekt domino për neve, nuk paraqet hapjen e kutisë së Pandorës, nuk e humb karakterin shumë etnik të Kosovës por e ruan atë karakter dhe se në asnjë rrethanë nuk paraqet luftë, përkundrazi kjo përpjekje dhe ky angazhim paraqet paqe, qëndrueshmëri afatgjatë dhe fqinjësi të mirë në mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë”.
Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, që është kusht për integrimin në Bashkimin Evropian. Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve.
Në intervistën që transmetohet sonte në emisionin Ditari të Zërit të Amerikës, presidenti Thaçi thotë se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet angazhim i të gjithëve për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë në një periudhe prej katër deri në gjashtë muaj. /VOA/