Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit urgjent me Këshillin e Sigurisë së Kosovës ka vlerësuar se situata e sigurisë në vend është e qetë. I pyetur për paralajmërimet për shpallje të autonomisë në veri të vendit, Haradinaj ka thënë se kjo është një retorikë nga Beogradi.
“Nesër grupi punues mund ta dorëzoj raportin për draft statutin e asociacionit. Ne nuk kemi dal nga obligimet tona të marra në Bruksel, sepse ne kur e marrim raportin duhet të sigurohemi që është në përputhje me ligjet tona. Askush nuk e ka të drejtën të ndërmarr veprime të njëanshme”, ka thënë Haradinaj.
“Nëse dikush del nga ligjet e Kosovës dhe marrëveshja, ligji do të veproj, nuk ka dilema, do të marr përgjigjen e vet. Sa i përket veriut, ne çdo herë kemi mirëpritur ardhjen e çdo qytetari të botës tek ne dhe po pritet mirë në çdo pjesë të Kosovës, e kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim të prishjes së rendit dhe ligjit, do të marr përgjigje nga ligji ynë. Jemi në gjendje gatishmërie nëse ka prishje të rendit dhe ligjit”, ka përfunduar Haradinaj.