Presidenti serb Vuçiç ka propozuar shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë— specifikisht kalimin e Mitrovicës së Veriut Serbisë dhe të Luginës së Presheves Kosovës—si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Për këtë arsye, Vuçiç është duke i dhënë shpjegime publikut serb mbi këtë propozim dhe përfitimet e Serbisë prej tij. Në një intervistë të para dy ditëve për televizionin Pink, Vuçiç bëri të qartë se shkëmbimi i territoreve është mundësia më e mirë për të marrë sa mundet nga Kosova, pavarësia e së cilës tashmë është realitet:
“Çdo gjë që do marrim është diçka sepse ne nuk kemi asgjë.”
Duke u referuar faktit se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme për shkak të mbështetjes së fuqive kryesore perendimore për të, Vuçiç u shpreh: “Ne po luftojmë nën kushte shumë të vështira, në kushte thuajse të pamundura për të nxjerrë [nga bisedimet] sa më shumë që të mundemi për popullin tonë dhe për të humbur sa më pak.”
Pohimi nënkupton se propozimi i Vuçiç nuk ka ndonjë përfitim tjetër për Kosovën veç faktit që Serbia do të njohë pavarësinë e saj, çfarë nuk garanton automatikisht njohjen e Kosovës nga vendet e tjera përfshi Greqinë, Spanjën, Sllovakinë dhe Rumaninë, anëtare të BE-së dhe Rusinë, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Duke ju referuar pavarësisë së Kosovës, Vuçiç është shprehur se origjina e “problemit të Kosovës dhe Metohisë” është sulmi i 19 vendeve të NATO-s për të cilin është shprehur qartë se nuk ndodhi “për ndonjë faj të Serbisë”, duke mohuar kështu indirekt krimet dhe spastimin etnik të shqiptarëve në Kosovë nga serbët.
Vuçiç u shpreh: “Këto 19 vende shkelën çdo parim dhe normë ligjore. Unë nuk bëj pjesë tek ata që i bëjnë qejfin vetes duke thënë se vetëm Sllobodan Milosheviçi ka faj. Ai ka faj sepse ku po na çonte konflikti. Ai është fajtor sepse duhet të ishte përpjekur që të kishte avionë dhe tanke të mira. Por ai nuk është fajtor, për agression, ata që e kryen ata janë fajtorët.”
Nënkuptimi është i qartë: nëse Milosheviçi do ishte investuar më shumë në mjete luftarake, Serbia do t’i kishte bërë ballë sulmeve të NATO-s dhe do ta kishte mbajtur të pushtuar Kosovën.
Është një deklaratë skandaloze e presidentit serb pasi ajo e pozicionon Serbinë si viktimë të pafajshme të një agresioni, ndërkohë që mohon krimet mizore të paramilitarëve serbë, të nxitur nga Milosheviçi, dhe të vetë forcave policore serbe ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare në Kosovë.
Nga janari i vitit 1998 deri para ndërhyrjes së NATOS në pranverën e vitit 1999, regjimit i Milosheviçit vrau të paktën 13 400 mijë shqiptarë, ndërsa mbi 6 mijë konsiderohen edhe sot të humbur pasi për fatin e tyre nuk ka asnjë të dhënë, ndërkohë që të gjithë supozohen se janë vrarë nga serbët.
Gjatë mësymjes së forcave paramilitare fillim të vitit 1999, 1,2–1,4 milionë shqiptarë u përzunë me forcë apo e detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre, shumica si refugjatë në Maqedoni dhe Shqipëri. Gjatë gjithë kësaj kohe, Aleksandër Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit i regjimit të Milosheviçit, përgjegjës për manipulimin e të vërtetës dhe mbulimin e krimeve të regjimit.