Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj kërkon rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në gjithë Kosovën, në mënyrë që të sigurohet rend dhe ligj, qetësi në gjithë vendin në ditët që vijnë.
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Haradinaj ka thirrur sot në takim Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të diskutuar gjendjen e rendit dhe ligjit dhe sigurisë në vend. Në një konferencë për media pas këtij takimi Haradinaj tha se temë e këtij takimi ishte gjendja e rendit, ligjit dhe sigurisë në vend si dhe reflektimi i retorikës së fundit politike si dhe reflektimi i afateve kohore që lidhen me asociacionin.
“E vërtetë është se kam kërkuar rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në gjithë vendin, në mënyrë që të sigurojmë rend dhe ligj, qetësi në gjithë vendin në ditët që vijnë”, tha Haradinaj, duke shtuar se me këtë nënkupton që gjendja në rend dhe ligj dhe siguria në vend, është e qetë, stabile, por se është kërkuar rritja e gatishmërisë për veprim, në rast të çfarëdo prishje të rendit dhe ligjit në vend.
Kryeministri Haradinaj ka shtuar se “retorika për kufijtë ose për territoret që ndodh në Kosovë është kundër reagim i një retorike që vjen nga Beogradi”.
“Kjo retorikë nuk e ka qëllimin te prishja e rendit dhe të ligjit dhe sigurisë në Kosovë dhe duhet të ndihen të sigurtë të gjithë në Kosovë për shkak të kësaj retorike. As serbët e Kosovës, as komunitetet tjera, por as shqiptarët, nuk duhet të ndihen të rrezikuar. Është retorikë politike, publike, kundër retorikë e një retorike që vjen”, ka nënvizuar Haradinaj.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Haradinaj tha se Kosova është brenda obligimeve të veta, që nënkupton se më datë 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i grupit punues për draft statutin. Ai ka shtuar se kjo është dinamika kohore dhe se procedura nga marrëveshjet në Bruksel parasheh që kjo të bëhet para palëve, në këtë rast edhe para BE-së, edhe para palës serbe, edhe para palës së Kosovës, në këtë rast shefit të negociatave.
“Ne qëndrojmë brenda obligimeve, nuk kemi dalë nga obligimet qofshin në dialog, pra nga obligimet në Bruksel, por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. Kështu që, ne kur e marrim transkriptin japim kontributin tonë, por edhe duhet të sigurohemi që është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, nëse dikush do të merr ndonjë veprim të njëanshëm, atëherë ai veprim është jashtë ligjeve të Kosovës, jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe do të merr përgjigjen e organeve të rendit dhe të ligjit.