Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, deklaratën e kancelares Angela Merkel se në Ballkanin Perëndimor nuk guxon të ketë ndryshim kufijsh, e ka mirëpritur dhe ka thënë se pret që personat që po e promovojnë këtë ide, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, të ndalen.
Madje, siç thotë Hoti, këto deklarata nga këta persona në të dyja vendet, po i bëjnë në mënyrë të koordinuar. Deputeti i LDK-së mendon se kjo ide e ka nxjerrë në pah pasigurinë politike të krejt Ballkanit Perëndimor.
“Kjo padyshim se do të shtyjë proceset euro integruese të rajonit, por do të ndikojë edhe në përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, duke e rënduar jetën e qytetarëve”, thotë Hoti në një postim në Facebook.
Por, thekson Hoti, është mirë që në Kosovë tashmë është krijuar masa kritike e spektrit politik “për të mos lejuar eksperimente të tilla që po bëhen për hesape personale”.
“Megjithatë, ajo që tanimë ka ndodhur është dërgimi i sinjaleve të paqarta tek miqtë tanë dhe tek shtetet që ende nuk na kanë njohur lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës. Kjo e ka futur në qorrsokak diplomacinë tonë dhe atë të vendeve mike, që ka rezultuar me stopim të plotë të integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë ku ka qenë e mundshme, si dhe ka stopuar plotësisht njohjet e reja”, ka përfunduar Hoti.
Angela Merkel, ditë më parë nga Berlini dërgoi mesazhin e qartë se në Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë ndryshim kufijsh.