Nga Fatos Musliu
Ndërkombëtarët intensifikojnë përpjekjet në mbështetje të Maqedonisë për referendumin e 30 Shtatorit për Marrëveshjen me Greqinë. Pas Stoltenbergut, Shkupin e viziton kancelari austriak, Kurz e të shtunën, Angela Merkel.
30 Shtatori po afron dhe partitë në Maqedoni kanë ndezur motorët për fushatën finale para referendumit. Takime të shumta po zhvillohen për të bindur qytetarët se "mbështetja për Marrëveshjen me Greqinë dhe suksesi i referendumit janë mundësia e vetme për të ardhmen evropiane të vendit”. Opozita maqedonase ende vazhdon të kundërshtojë Marrëveshjen me Greqinë duke e quajtur "kapitulluese për vendin, gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase”, por ajo deri më tani nuk ka dalë me qëndrimin nëse do të bojkotojë referendumin apo do të ftojë qytetarët që të votojnë kundër.
Vizita e kancelares Merkel në Maqedoni vlerësohet si historike
Seria e vizitave ndërkombëtare në Maqedoni filloi të mërkurën në mbrëmje me vizitën në Shkup të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, të premten viziton Shkupin, kancelari austriak Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën kancelarja gjermane Angela Merkel, vizita e së cilës vlerësohet si historike nga autoritetet e Maqedonisë. "Ardhja e tre liderëve botërorë është mirënjohje për Maqedoninë, sinjal pozitiv. Ata po na e shtrijnë dorën që të ecim përpara”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Gjermania konsiderohet si një nga shtetet që më së shumti ka mbështetur zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë si dhe procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Sipas zëdhënësit të kancelares gjermane, Steffen Seibert në fokus të vizitës së Merkel në Shkup do të jenë "zhvillimet rajonale dhe çështjet bilaterale” dhe se kancelarja gjermane sipas tij "dëshiron që personalisht të krijojë përshtypjen, në vigjilje të referendumit për çështjen e emrit që do të mbahet në fund të muajit”.
Dora e zgjatur e perëndimorëve duhet respektuar
Denko Maleski profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit thotë se interesi i Perëndimit për suksesin e referendumit dhe afrimin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së ka të bëjë me dy faktorë. Së pari për momentin unik historik, i cili duhet të shfrytëzohet, e që sipas tij lidhet me interesat e vendeve të perëndimit për uljen e ndikimit rus në Ballkan. "Kjo është shumë me rëndësi që të kihet parasysh pasi më herët nuk kishte një interesim kaq të madh të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për zgjerimin e NATO-s me Maqedoninë dhe shtetet e tjera të Ballkanit”, thotë Maleski. Si faktor të dytë për interesimin e tyre në rritje për Maqedoninë, ai sheh pamundësinë e vendit që prej 30 vjetësh ta zgjidhë më në fund kontestin me Greqinë, problem që ka bllokuar edhe integrimin euroatlantik.
"Maqedonia ka miq jashtë"
Vizita e kancelares Angela Merkel është sinjal pozitiv dhe përkrahje për Maqedoninë për të gjitha aktivitetet që ndërmer ajo për anëtarësim në NATO dhe BE, thotë ish-ambasadori Gjorgji Filipov. Sipas tij vizita e kancelares Merkel është dëshmi se Maqedonia ka miq nga jashtë, të cilët dëshirojnë të ndihmojnë për një të ardhme dhe zhvillim më të mirë të Maqedonisë.
"Vizita e kancelares është shumë domethënëse, ajo vjen në Shkup në ditën kur festohet përvjetori i pavarësisë. Unë do të rikujtoja fjalët e kancelares Merkel para fillimit të Procesit të Berlinit ku pati deklaruar, se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjese e BE-së, respektivisht e llogarit si pjesë të BE-së. Inkuadrimi politik dhe ekonomik i rajonit ne familjen evropiane është edhe një nga qëllimet kryesore të Procesit të Berlinit”, ka thënë ambasadori Gjorgji Filipov.
Maqedonia shembull pozitiv i zgjidhjeve të çështjeve bilaterale
Referendumi, zbatimi i ndryshimeve kushtetuese, reformat dhe zhvillimet rajonale ishin pjesë e bisedës në takimin e punës që zhvilloi kryeministri Zoran Zaev me përfaqësuesin special për Evropën Juglindore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach dhe ambasadorin gjerman në Maqedoni ,Thomas Gerberich. Në takim është shprehur mbështetje nga Gjermania për referendumin e 30 Shtatorit dhe integrimin Euro-Atlantik të Republikës së Maqedonisë. Gjithashtu është konstatuar se Maqedonia është shembull pozitiv se si zgjidhen çështjet bilaterale. Stabiliteti dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe në BE është i rëndësishëm, si për qytetarët e Maqedonisë poashtu edhe për rajonin. Kryeministri Zaev ka shprehur besim të madh se më 30 Shtator, qytetarët do të marrin vendim të drejtë për ardhmërinë e tyre dhe ardhmërinë e shtetit.