Policia turke në Antalia ka arrestuar një person të shumëkërkuar për trafik narkotikësh. Personi që ka rënë në prangat e policisë turke është shtetasi serb, Jovica Vukotiç, i njohur me pseudonimin "Ivan".
"Ivan" ishte koka e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe u arrestua me një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet greke pas një operacioni të koordinuar, shkruan Zougla.
I quajtur edhe si "Eskobari i Ballkanit", trafikanti serb kishte transferuar gati gjysmë ton kokainë në Greqi dhe u arrestua së bashku me dy persona të tjerë, të cilët ishin me pasaportë falso.
Mediat e huaja raportojnë se "Ivan" për tu kamufluar bënte një jetë jo të mirë në Greqi. Ai jetonte në një vile në periferi duke frekuentuar vende ku kishte serbë.
Ai pati mundësinë të krijonte kontakte me persona të panjohur dhe prezantohej si një sipërmarrës nga Serbia. Nëpërmjet lidhjeve që ai krijoi, tregtonte sasi të mëdha droge në Greqi dhe pjesë të tjera të Europës.
Hetimet për "Ivanin" nisën në 2017 kur u kap një 35-vjeçar serb, pasi në shtëpinë e tij u gjetën 135 kilogramë kokainë.
Trafikanti serb i quajtur Martin u arrestua pas një operacioni të koordinuar, ndërsa vlera e drogës kapte shifrën e 5 milion eurove. Droga kryesisht trafikohej në klubet e natës dhe në klientë të pasur.
Pas arrestimit të Martinit, policia dhe prokuroria mblodhën të dhëna të mjaftueshme të cilat çuan në kokën e kësaj organizate, që ishte Jovica Vukotiç.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës.