Partia e Behgjet Pacollit e ka konfirmuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bejtush Gashi. Ky i fundit është shkarkuar nga detyra e ministrit për shkak se gjatë kohës sa ka qenë në krye të këtij dikasteri qeveritar nuk ka treguar përfomancë të mirë, thonë zyrtarë të AKR-së, të cilët e kanë konfirmuar për RTKlive shkarkimin e tij.
Rrahim Pacolli sekretar organizativ i AKR-së, tha për RTKlive se shkakrimi i ministrit Gashi ka ndodhur për shkak se ky i fundit nuk ka treguar përformancë të mirë. “AKR e ka si praktikë që të bëjë vlerësimin e punës së gjithësecilit ministër. Është bërë vlerësimi i punës së Gashit dhe si pasojë ka ardhur deri të shkarkimi i tij”, tha ai, duke shtuar se kërkesa për shkarkim është bërë para disa ditësh, ndërkaq sot ka ndodhur largimi i tij.
Pacolli tha se AKR ende nuk ka vendosur se kush do ta zëvendësojë Gashin.
Ndryshe, kohë më parë, partia që drejtohet nga Behgjet Pacolli pati shkarkuar ministrin e po të njëjtit dikaster, Falmur Sefaj, duke emëruar në atë kohë Bejtush Gashin, i cili sot është liruar nga detyra.