Komisioni Parlamentar për Integrime Europiane me vota unanime ka miratuar Projektligjet për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Anëtarët e Komisionit i miratuan Projektligjin për FSK-në, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë për shërbim në FSK.
Kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu-Kodra i uroi qytetarët për votimin e këtyre projektligjeve në këtë komision.
“Ndoshta është herët por megjithatë i uroj qytetarët. Sot është edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në këtë cilën do të caktohet data se kur projektligjet për FSK-në të votohen në seancë”, tha ajo.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit, Armend Zemaj (LDK), tha se është keq që në këto projektligje nuk përmendet fjala “Republikë”.
“Përkrahja ime do të jetë për të tri projektligjet. Ky është rregullim i brendshëm dhe sovran i shtetit. Është kompetencë dhe synim qe Kosova t’i ketë forcat e saj të armatosura si çdo shtet. Në terminologjinë, termi Republikë përjashtohet nga të tri ligjet. Dhe për mua mbeten disi të cunguara nëse termi Republikë nuk është aty. Me qëllim apo pa qëllim po rrëshqasim në disa elemente dhe po paraqiten një dobësim në institucione siç është kjo për Forcat e Armatosura. Kam pritur qe Komisioni do ta shtojë termin Republikë, megjithatë do t’i votoj”, tha Zemaj.
Edhe anëtari tjetër nga radhët e LDK-së, Ismet Beqiri tha se është e rëndësishme që Projektligjet për FSK-në kanë ardhur në këtë fazë.
"Për ne është shumë e rëndësishme që kemi ardhur në këtë fazë. Të gjithë pa dallime do t’i votojmë dhe miratojmë këto tri projektligje. Së paku këtu nuk jemi dalluar për të qenit pozitë apo opozitë, tha ai.
Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar edhe shqyrtimin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së