BE letër Haradinajt: Suspendoni deri të hënën tarifën ndaj Serbisë, ne ofrojmë zëvendësimin e emërtimit UNMIK me Kosovo*
Përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini, Komisionerja për tregti Malmstrom dhe Komisioneri Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.
Ofrojnë mes tjerash që emërimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Koha.net shkruan se re këta pjesëtarë të Komisionit Evropian letrën Kryeministrit të Kosovës e kanë shkruar edhe duke adresuar disa shqetësime që Haradinaj ua ka shprehur në letrën që ai e kishte dërguar më parë kur kishte sqaruar arsyet pse Kosova kishte vendosur këto masa.
“Ne kemi marrë në dijeni po ashtu edhe listën e rasteve të praktikës tregtare nga ana e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që, sipas këndvështrimit të Kosovës, paraqesin barriera në zbatimin korrekt të aranzhimeve të CEFTA-s dhe krijojnë problem domethënëse në terren për veprimet ekonomike dhe për qytetarët”, thuhet në letër.