Ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka takuar kongresistin amerikan Eliot Engel, të cilit i ka kërkuar organizimin e një seance dëgjimore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popullatës civile në Kosovë.
Jahjaga ka ngritur shqetësimin që edhe pas 20 vitesh nga përfundimi i luftës ende nuk është dënuar asnjë person për krimet e kryera në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi, kongresistit Engel ia dorëzova një letër me anë të së cilës kërkova që të shqyrtohet mundësia për organizimin e një seance dëgjimore për krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, duke përfshirë dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte”.
“Edhe pothuajse pas 20 viteve nga përfundimi i luftës ne ende nuk kemi asnjë person që është dënuar për këto krime”.
“Për të ndërtuar paqen e qëndrueshme, adresimi i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë është i domosdoshëm. Historia nuk mund të rishkruhet dhe dallimi në mes të agresorit dhe viktimës duhet të jetë i qartë”.
“Për këtë arsye, është e rëndësishme që të organizohet kjo seancë dëgjimore me përmasa ndërkombëtare që të mbijetuarit e dhunës seksuale, familjarët e personave të pagjetur, familjaret e viktimave të luftës, aktivistët për paqe dhe liri, dhe njohës të rrethanave të luftës në Kosovë të mund të dëshmojnë për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat Serbe”.
“Duke ndarë fajin individual nga ai kolektiv ne kontribuojmë në të vërtetën, qasjen në drejtësi dhe pajtimin në rajon”, ka shkruar në rrjetin e saj Facebook.