SHBA,ja vendimi i fundit për Kosovën. Haradinaj: Taksa nuk i prish raportet me Amerikën

Saturday, 23 February 2019 09:07

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë anuluar ftesat për 14 pjesmarrës nga Kosova në tetë programe të Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”.

“Ambasada e SHBA-së mund të konfirmojë se ftesat për 14 pjesëmarrësit nga Kosova në tetë programe që fillojnë në mars dhe zgjasin deri në shtator janë anuluar” thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

 Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” adreson sfidat e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale. “Këto sfida do të përfshihen në këto seminare/programe” thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Kjo masë pason anulimin e vizitës së gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës. Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po e kundërshton heqjen e taksës. Ai sërish deklaroi të premten se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.​

“Edhe ne kemi dëshirë ta largojmë këtë taksë, nesër do ta kishim bërë një të tillë sikur të na njihte Serbia, por nuk bën të na vendosen kushte, pasi që nuk parashihet të shkojmë në dialog me kushte”, tha Haradinaj gjatë një vizite në komunën e Mamushës.

Taksa është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesëmarrjen në këto bisedime derisa tarifa të jetë në fuqi.

Në anën tjetër, partneri i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit të saj, Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e taksës për një periudhë 120 ditëshe.

***

Haradinaj: Taksa nuk i prish raportet me Amerikën

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po vazhdon të insistojë se vendimi për taksën ndaj Serbisë, nuk do të ndikojë në raportet e Kosovës me Amerikën. Shefi i ekzekutivit Kosovar ka deklaruar se Serbia me paratë që shet në Kosovë, blen armë te armiku i Amerikës, duke aluduar në shtetin rus.

“Vendimi për taksën nuk i është dedikuar Amerikës, por i është dedikuar një kundërshtari që ka pozita armiqësore ndaj Kosovës, e cila me paratë që i fiton duke shitur në Kosovë, blen armë te armiku i Amerikës. Nëse dikush mendon se taksa i prish raportet Kosovë-Amerikë, ose nuk po e lexon mirë politikën, ose ka hall tjetër”, ka thënë Haradinaj në RTV 21.

Kryeministri i vendit u shpreh më tutje se për taksën, liderët e shtetit është dashur të jenë bashkë, siç kanë qenë kur është marrë ky vendim.

Haradinaj ka thënë se qeveria duhet të vendos përfundimisht për këtë temë.

“Shumë më mirë do të ishim bashkë, ashtu si kur vendosëm që ta votojmë taksën bashkë. Atëherë nuk është dashur të dalim me mendime ndarasi, përderisa nuk kemi dakordim. Mirëpo pa dakordim për të gjithë atyre që kemi marrë pjesë në vendosjen e taksës, atëherë nuk është mirë që kemi dalur me ide shpejt si me vepru më tutje është dashur me prit”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Login to post comments