Statusi i Kosovës, Pacolli: Presim njohjen edhe nga 19 shtete të tjera 

Saturday, 02 Mars 2019 21:41

Zevendeskryeministri dhe ministri i Jashtem i Kosoves, Behgjet Pacolli

Ministri i Punëve të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar sot se së shpejti pritet që edhe 19 shtete të tjera nga Organizata për Bashkëpunim Islamik, të njohin Kosovën.

Pacolli e ka përshëndetur aprovimin unanim të Rezolutës për Kosovën nga 57 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik OBI-it, në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të tij, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.

‘Mirënjohës OBI-it dhe shteteve anëtare për miratimin me unanimitet të Rezolutës, duke thirrur mbi shtetet e saj anëtare, që ta njohin Kosovën dhe mbështesin anëtarësimin e saj në Organizata Ndërkombëtare. Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj me OBI-in dhe do të vazhdojë edhe më tej lidhjet’, ka thënë kryediplomati kosovar Pacolli, pas aprovimit të kësaj Rezolute.

‘Tashmë 38 shtete anëtare të OBI-it e njohin Republikën e Kosovës. Ne, presim që edhe 19 shtetet anëtare të kësaj Organizate, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim ta bëjnë këtë së shpejti. Rezoluta bën thirrje pikërisht për këtë dhe presim lëvizje të reja në këtë drejtim’, është shprehur numri zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Pacolli.

Gjatë pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të Kosovës në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në Abu Dhabi, Pacolli ka takuar shumicën e homologëve të tij nga 57 shtetet anëtare, që morën pjesë në këtë takim dhe që vijnë nga katër kontinente të ndryshme të botës.

Login to post comments