Ndryshimet kushtetuese/ Hashim Thaçi, tashmë ka mbetur vetëm

Tuesday, 05 Mars 2019 08:33

Partitë opozitare në Kosovë, vazhdimisht e kanë kundërshtuar idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshimin e kufirit apo siç e quan ai “korrigjimin” e tij.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha të hënën se Kosova është në një situatë shumë të rëndë për arsye të joseriozitetit, por edhe të garës politike që sipas tij, po zhvillojnë liderët institucionalë dhe ambiciet e tyre tregohen para opinionit kosovar dhe ndërkombëtar se kush është më i fortë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ish-kryeministri Mustafa foli edhe për idenë e presidentit Thaçi për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, për të korrigjuar kufirin me Serbinë.

 “Njëri sillet sikurse Kosova është pronë e tij, e tjetri shprehet se unë do ta bëjë këtë, unë do ta ndryshojë Kushtetutën, unë do ta bashkojë Luginën e Preshevës, thua se Kosova dhe Kushtetuta është harmonike e presidentit të Republikës së Kosovës dhe me këtë me një formë bën shkelje të Kushtetutës sepse dihet me Kushtetutë se kush mund t’i bëjë këto”, tha Mustafa.

Isa Mustafa tha se LDK i sheh përgjegjës të situatës aktuale në vend, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Në anën tjetër, kemi kryeministrin i cili shprehet se është ai që do të vendosë se çfarë do të ndodhë me një veprim të Qeverisë dhe ai e mbron Kosovën me vendimin për tarifën që të mos ndodh korrigjimi i kufirit dhe shkëmbimi i territoreve. Por, krahas kësaj ai nuk ndërmerr masa që ai ta bëjë punën e tij kushtetuese, sepse është detyrim i tij kushtetues që ai ta drejtojë dialogun për arsye se dialogun gjithmonë e ka bërë Qeveria”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se ideja e presidentit Thaçi për ndryshim të Kushtetutës, nuk mund të pranohet.

Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të ketë ndryshim të Kushtetutës, vetëm për t’i plotësuar dëshirën presidentit Thaçi.

“Një gjë e tillë, nuk ka gjasa të ndodhë, aktualisht. Nuk do të duhej të ndodhte. Kosova duhet të njihet fillimisht me këtë Kushtetutë dhe me këta kufij, e pastaj flasim për të tjerat”, tha deputeti Aliu.

Sipas tij, presidenti Thaçi nuk duhet të jetë më pjesë e negociatave me Serbinë sidomos për çështjen e kufirit, pasi i njëjti, tha Aliu, ka bërë negociata të dëmshme për Kosovën.

“Ky ka qenë negociator gjashtë vjet rresht, në kohën sa ka qenë kryeministër, me (ministrin e Jashtëm serb, Ivica) Daçiqin dhe (presidentin e Serbisë, Aleksandar) Vuçiqin, ka prodhuar 33 marrëveshje, të cilat nuk janë realizuar dhe komplet ky proces ka qenë një debakël i vërtetë, i cili proces edhe prej vet Hashim Thaçit pranohet që është debakël. Po ashtu edhe prej negociatorëve, prej ideatorëve të këtyre negociatave, është pranuar që ka qenë një dështim i plotë”, tha Aliu.

Përkrahje kjo ide nuk po gjen as të deputetët e partisë në pushtet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha për Radion Evropa e Lirë, se me Serbinë nuk mund të bisedohet për kufijtë, as nga presidenti Thaçi e as nga askush tjetër.

“Është gabim të hyjmë në çështje të tilla, sidomos të territorit sepse ne i dimë apetitet e Serbisë dhe Kosova ka kufijtë e vet, prandaj njëherë për njëherë Serbia ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur, pastaj të diskutohet për tema tjera”, tha Isufi.

Kufijtë e Kosovës, sipas deputetit të AAK-së, janë të caktuar që nga shpallja e pavarësisë. “Ne mendojmë se çështja e kufirit me Serbinë është e rregulluar në bazë të Deklaratës së Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, dhe duhet të forcohet shteti i Kosovës, ndërkohë që në dialogun me Serbinë duhet të njihet shtetet ndër veti dhe kur njëra-tjetrën e njohin, atëherë mund të hapen çështjet të cilat kanë të bëjnë me ato që janë interes të qytetarëve të të dy shteteve”, tha Isufi.

Disa ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë dhe bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Presidenti Thaçi tha se ky është vizioni i tij dhe do të punojë për ta ndryshuar Kushtetutën për ta bërë pjesë të Kosovës edhe Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.

“Korrigjimi i kufirit, po. Me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës. Me përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe më herët ka deklaruar se është duke punuar që çështja e Ligjit për referendum të dërgohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës për miratim. Thaçi ka thënë se referendumi mund të përdoret për t'i pyetur qytetarët e Kosovës nëse ata janë pro korrigjimit të kufirit, që do të bashkonte Luginën e Preshevës me Kosovën.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 1, pika 3, thuhet se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”./REL

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...