Parlamenti Europian pritet të votojë sot për hapat e ardhshëm lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ditën e djeshme PE diskutoi për këtë çështje ku u vunë re dallimet mes përfaqësuesve europianë.
Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, deklaroi se Europa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën në lidhje me liberalizimin e vizave.
Ajo shtoi po ashtu se Kosova ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se rritja e radikalizmit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj.
Procesi i liberalizimit të vizave nisi në vitin 2012 ku Kosovës iu kërkua që të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandim pozitiv për liberalizimin. Ky rekomandim u dha në muajin korrik të vitit ë kaluar, ndërsa në shtator PE votoi për liberalizimin e vizave.
Mirëpo, në muajin dhjetor, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi në agjendën e tyre këtë çështje.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht është zotuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë në qershor të këtij viti.