Kosova më 12 qeshor shënon përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në vendin tonë.
Për të nderuar personalitetet kryesore ndërkombëtare që kontribuan në intervenimin dhe çlirimin e Kosovës, tre ish presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaha dhe presidenti aktual, Hashim Thaçi, më 12 qershor do të organizojnë pritje madhështore në Prishtinë.
I tërë ky organizim i është besuar ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo do të merret me dërgimin e ftesave për këto personalitete.
Në këtë ceremoni, siç mëson Ballkani.info, pritet të marrin pjesë edhe dy ish sekretaret e shtetit amerikan, Madeleine Albright dhe Hillary Clinton.
Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Në anën tjetër, zonja Clinton aso kohe ishte Zonja e Parë e Amerikës, pasi që bashkëshorti i saj, Bill Clinton mbante postin e presidentit. Përveç kësaj, Hillary Clinton edhe në kohën kur ishte sekretare e shtetit, nga 21 janari i vitit 2009 deri në shkurt të vitit 2013, dha kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Se dy ish sekretareve u është dërguar ftesë që të jenë të pranishme më 12 qershor në Kosovë, nuk e ka mohuar zyrja e ish presidentes Jahjaga.
Në një përgjigje për Ballkani.info, zyra e Jahjagës ka thënë se ata janë në proces të krijimit të listës së të ftuarve për ngjarjen, gjë kjo e cila sipas tyre do të publikohet me kohë.
“Më 26 mars 2019, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATOs në Kosovë. Ky këshill udhëhiqet nga Presidentja Jahjaga. Këshilli Organizativ ka mbajtur takimin e parë dje, dhe është në proces të krijimit të listës së të ftuarve për ngjarjen. Detaje të tjera të ngjarjes do të publikohen me kohë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Jahjagës për për Ballkani.info.
Më 12 qershor Kosova shënon 20 vjetorin e çlirimit nga okupatori serb. Kjo datë shënohet edhe zyrtarisht si hyrja dhe marrja nën kontroll e territorit të Kosovës nga forcat e NATO-s.