Pas incidentit në konferencën për “Klimën në Ballkanin Perëndimor”, e parashikuar të zhvillohej sot në orën 10:00 në ambientet e një hoteli në Tiranë, ministri i Mjedisit të Kosovës ka shpjeguar atë çfarë ka ndodhur.
“Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë më tepër me rregullat strikte të OKB-së. Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon që ne të përfaqësohemi me siglën e UNMIK dhe kjo është e papranueshme për ne. Konferenca do të zhvillohet në një nivel teknik në formë workshop-i. Ne shfrytëzuam mundësinë për takime me donatorët”, tha ministri i Mjedisit të Kosovës, Fatmir Matoshi.
Në konferencë tani po marrin pjesë vetëm përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Mali i zi, Kosova, Serbia dhe Çekia. Nga takimi janë larguar ambasadorët, donatorët dhe ministrat të cilët ishin parashikuar të ishin prezentë.