Një student kosovar është fituesi i konkursit ndërkombëtar të arkitekturës së zhvilluar në Itali. Rron Bexheti rrëmbeu çmimin e parë së bashku me dy studentë të tjerë të universitetiy Lund të Suedisë.
Kosovari, Rron Bexheti, student në Universitetin Lund të Suedisë, është fituesi i konkursit ndërkombëtar të arkitekturës "Sfida e jetesës kolektive në Romë" 2019.
Gjatë vitit 2018 me mijëra persona protestuan në rrugët e kryeqytetit italian ndaj mungesës së politikave të strehimit.
Mjaft banorë u dëbuan nga shtëpitë që kishin zënë ilegalisht duke shtuar numrin e të pastrehëve.
Për të përballuar këtë krizë strehimi në Romë, u organizua konkursi ndërkombëtar "Sfida e jetesës kolektive" i cili ftoi arkitektë, projektues, studentë e universitete nga e gjithë bota për të realizuar projektin më të mirë për konceptin e një bashkëjetese të përballueshme.
Fituesi i këtij konkursi arkitekture u shpall projekti i Universiteti Lund në Suedi me firmën e 3 studentëve të arkitekturës kosovarin Rron Bexheti, Karin Frykholm dhe Lisa Fransson.
Ky projekt parashikon ndërtimin e banesave të ardhshme në Romë përgjatë 19 km gjatësi të mureve Aurelian që rrethojnë disa pjesë të qytetit.
Projekti synon të zgjidh problemin e politikave të strehimit e të dëshmoj se ky mur historik është i dobishëm për një të mirë të përbashkët për banorët e qytetit.