Është përjashtuar nga detyra si imam i xhamisë në Vitomericë të Pejës, ku ka punuar për dy vjet Drilon Gashi dhe shkak për këtë është bërë deklarata e tij e një viti më parë ku ka folur për teorinë e evolucionit. Imami Gashi ndërsa njofton lajmin, sqaron se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e ka përjashtuar me arsyetimin se ka shkelur parimet e Kuranit.
“Teoria e evolucionit është teoria e vetme bashkëkohore që ka arritur t’iu bëjë ballë furtunave të kohës. Do të thotë argumentet po shkojnë deri tek ajo që evolucioni është fakt”, është deklaratë e bërë në muajin qershor të vitit 2018, në një studio televizive nga Drilon Gashi.
Gjithashtu, Gashi ka thënë se ai është shkarkuar para një muaji, mirëpo vendimin e ka marrë ditën e enjte.
“Arsyetimi i tyre çuditërisht thotë se përmes deklaratave të mia, paskam shkelur Kuranin dhe traditën profetike! Ndërsa unë deklaroj që çdo herë jam munduar ta pasoj vetëm argumentin, të vërtetën dhe t’i qëndroj besnik rrugës së drejtë dhe Kuranit”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, në BIK mungon të menduarit racional dhe “nuk u lejohet të mendoni në mënyrë kritike e as të dialogoni”.
“Nuk jam i zhgënjyer pse ma mbyllën derën e Xhamisë, më hodhën në rrugë dhe mbeta i papunë, por më dhemb zemra për këtë sistem të instaluar brenda institucionit më të madh fetar në vend, i cili në këtë mënyrë, katërcipërisht po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme”, shkruan Gashi.