Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi të enjten se do të rikthejë hetimet në rastin e Astrit Deharit pas publikimit të raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, i cili pohon se dyshimet paraprake për vetëvrasje “duken pak të vërteta”.
Prokuroria publikoi përfundimet e raportit të këtij instituti lidhur me rastin e Astrit Deharit, i cili më 5 nëntor të vitit 2016 vdiq në burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej më shumë se dy muajsh, rast ky që kishte ngjallur shumë dyshime dhe ishte përcjellë me debate e akuza politike në Kosovë.
Prokuroria tha në një njoftim për media se “ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.
“Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, – thuhet në përfundimet e këtij raporti të publikuara në komunikatën e Prokurorisë.
Në nëntor të vitit 2016 autoritetet thanë se, sipas autopsisë, Astrit Dehari është vetëvrarë si pasojë e mbylljes ose bllokimit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, rrjedhojë e dëmtimeve të vet shkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme.
Por me raportin e organeve të drejtësisë nuk ishin pajtuar lëvizja Vetëvendosje dhe familja e të ndjerit, të cilët e patën vlerësuar raportin të pabesueshëm dhe patën kërkuar hetim ndërkombëtar.
Prokuroria thotë se do t’i dëgjojë edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet siç kanë thënë ata një “super-ekspertizë” jashtë vendit në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes.
“Ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”,thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë i është dorëzuar familjes Dehari dhe avokatit, Tomë Gashi, të cilët kërkuan vënien e drejtësisë në vend.
“Unë si prind tash pres nga organet e drejtësisë që të hapen hetimet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjitha ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e Astritit”, tha babai i Astriti, Avni Dehari.
“Ne e kemi ditur rastin që Astritin e kanë vrarë në burg, por juridikisht nuk ka qenë e mbyllur edhe pse janë lëvduar se brenda 15 ditëve do ta përmbyllin para tri vjetëve, por u bënë tre vjet e neve na kanë zier në kazan si familje”, tha nëna e Astritit, Xhemile Dehari.
Astrit Dehari, 26 vjeçar, vdiq në burgun e Prizrenit ku po mbahej për më shumë se dy muaj nën dyshimet për përfshirje në një sulm mbi parlamentin e Kosovës në fillim të muajit gusht, sulm ky për të cilin një gjykatë në Prishtinë shpalli fajtorë dhe i dënoi me gjithsej 21 vjet heqje lirie katër veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, në nëntor të vitit 2017.
Sulmi qe kryer në një periudhë tensionesh të larta politike të nxitura nga mospajtimet rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por edhe asaj të arritur me Serbinë, që u jep më shumë autonomi komunave me shumicë serbe./VOA