Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Gjermani ka vazhduar takime me figura dhe të njohura të politikës gjermane. Me një shënim në “Facebook”, Kurti thotë se objekt i bisedës me zyrtarët gjermanë kanë qenë temat e rëndësishme socio-politike si dhe vijimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në të gjitha këto takime diskutuam për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Gjermani, si dhe për sfidat e qeverisë së ardhshme në fushat e drejtësisë, ekonomisë, integrimeve evropiane dhe të dialogut me Serbinë”, ka shkruar Kurti në njoftimin e tij.
Njoftimi i plotë:
Në ditën e dytë të qëndrimit në Berlin takova këshilltarin kryesor për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelares Merkel, z. Jan Hecker. Më pas vizitova edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për takimin me z. Jens Uëe Plötner, Drejtor Politik. Ndërkaq, në Bundestagun gjerman takova dy deputetë të SPD-së, z. Fritz Felgentreu dhe z. Nils Schmid. Në të gjitha këto takime diskutuam për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Gjermani, si dhe për sfidat e qeverisë së ardhshme në fushat e drejtësisë, ekonomisë, integrimeve evropiane dhe të dialogut me Serbinë. Kosova te Gjermania e ka partnerin e mirë për shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit dhe zhvillim të gjithëmbarshëm.