Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka njoftuar mediat se ka përfunduar takimi mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës. As pas këtij takimi nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes dy subjekteve që po bisedojnë për formim të Qeverisë.
Mustafa tha vetëm se liderët janë pajtuar që të shpeshtojnë takimet, pa treguar se cilat janë mosmarrëveshjet që edhe më tutje po pengojnë formimin e koalicionit.
“Takimi në mes dy liderëve që ka filluar në orën 17:00 tanimë ka përfunduar. Të dy liderët janë pajtuar për intensifikim të takime deri në arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë”, tha Mustafa, transmeton Express.
Ndërkaq edhe Vetëvendosje ka dalë me një njoftim të shkurtër, ku thotë se Mustafa e Kurti u morën vesh për intensifikim takimesh, për çdo ditë.
“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e VV-së.